Protesta për krerët e UÇK, Shoqatat e dala nga lufta: Mbron interesat kombëtare

PRISHTINË, 16 tetor /ATSH/ Këshilli Koordinues i shoqatave të dala nga lufta, përfshirë SHBPK-në, Shoqatën e Familjeve të Dëshmorëve, Shoqatën e Invalidëve të Luftës së UÇK-së dhe Shoqërinë “Lëvizja”, ka mbajtur sot një konferencë për media lidhur me protestën mbarëkombëtare që do të zhvillohet në Tiranë. Kjo protestë, e cila do të mbahet si një manifestim paqësor, ka për qëllim të kundërshtojë padrejtësitë ndaj krerëve të UÇK-së, të cilët aktualisht po gjykohen në Hagë.
Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të Kombit, Xhavit Jashari, theksoi se kjo protestë është një reagim ndaj veprimeve të padrejta kundër krerëve të UÇK-së dhe një mbrojtje e luftës së lavdishme që ka sjellë lirinë e Kosovës. Poashtu ai theksoi edhe rëndësinë e këtyre organizatave.
“Sot një informacion të shkurtër të gjitha këto organizata autoktone kanë punuar mjaftueshëm përmes strukturave, përmes përfaqësueseve, jo vetëm në Kosovë por në Shqipëri, në Mal të Zi, në Maqedoni, por edhe në diasporë që protestat të jenë masive dhe një herë e mirë përgjithësisht si shqiptarë ta kuptojmë se vlerat tona janë dhe kanë përmasë kombëtare. Pra në këtë rast preket me vlerën kulmore, pa cilën vlerë, pa cilën luftë, pra në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës nuk do të ishte liria dhe falë kësaj lufte që orientoi drejtë edhe faktorin NATO, sot kemi lirinë e Kosovës, por, kur preket në luftën e UÇK-së, kur atakohet kjo luftë ne e kemi vlerësuar, por tani jemi të bindur i gjithë faktori politik dhe shqiptarët se preket në këtë pjesë të atdheut që quhet Kosovë”, tha Jashari
Për më tepër, ai shtoi se protestat e zhvilluara deri më tani në Kosovë dhe Hagë kanë pasur ndikim të dukshëm dhe se kjo protestë do të vazhdojë të mbrojë interesat kombëtare dhe të kërkojë drejtësi për ata që luftuan për lirinë e Kosovës.
Një tjetër zë i rëndësishëm në këtë ngjarje ishte Shefik Sadiku, kryetar i Shoqatës së të Burgosurve Politikë, i cili kërkoi që Gjykata Speciale të jetë më transparente dhe të përfundojë sa më shpejt mandatin e saj, pa prodhuar më padrejtësi. Ai theksoi se Gjykata Speciale duhet të përfundojë punën e saj dhe të mos vazhdojë me procese që mbartin padrejtësi të mëdha.
“Një nga kërkesat kryesore që do të paraqesim këtu është kjo gjykatë të jetë jo vetëm transparente, por sa më shpejtë të përfundoj misionin e saj sepse kjo është themeluar mbi padrejtësitë që i përmendi edhe Xhaviti, nëpërmes rezolutës të Dick Martiti i cili edhe vetë e mohoi një rezolutë të tillë prandaj kjo gjykatë është dashur që me kohë të përmbyllë misionin e saj dhe të mos sharroj në padrejtësi më të mëdha. Gjykata e Hagës dhe burgosjet që u bënë të padrejta ndaj ish-luftëtarëve të UÇK-së dhe udhëheqjes së saj politike krye me drejtorin politik Hashim Thaçi, kryeparlamentarin Jakup Krasniqi, ish i burgosur politik edhe në Federatën Jugosllave që pas demonstratave të vitit 1981 e deri në 1990 ka vuajtur një dënim mjaft të madh me 14 vite ka qenë i dënuar, kryeparlamentari tjetër Kadri Veseli si dhe deputetin Rexhep Selimi. Po sikur të kishin qenë pak fajtorë këta, shumë lehtë do t’i shmangeshin kësaj gjykate, por nuk e kanë ndjerë veten fajtorë sikurse përpjekjet për liri të popullit shqiptar për mëse një shekull dhe më në fund u realizua themelimi i UÇK-së që e konkretizoi dhe realizoi këtë pjesë të lirisë së popullit shqiptar sidomos në Kosovë. Prandaj i bëjmë thirrje publike Qeverisë dhe Presidencës poashtu të kërkojnë rrugët diplomatike për realizimin e kësaj kërkese”, tha ai.
Tutje, ai shprehu mbështetje të plotë për protestën që do të mbahet në Tiranë dhe për çdo iniciativë tjetër që synon mbrojtjen e vlerave të lirisë dhe drejtësisë për kombet dhe shtetin shqiptar. Po ashtu, Sadiku theksoi se protesta do të jetë një shprehje paqësore e shqetësimit të qytetarëve dhe një kërkesë për drejtësi për ata që luftuan për lirinë e Kosovës.
Me këtë protestë të organizuar në Tiranë, shoqatat e dala nga lufta po kërkojnë jo vetëm drejtësi për krerët e UÇK-së, por edhe mbrojtjen e vlerave të luftës dhe të gjithë atyre që sakrifikuan për lirinë e Kosovës.
/Kosovapress/