E Diel, 1 Nëntor 2026

Protesta të rinjsh në disa qytete, akte dhune dhe përplasje me policinë

TIRANË, 15 tetor/ATSH/ Protesta u zhvilluan sot edhe në disa qytete të vendit ku të rinjtë u përplasën me policinë dhe ku u regjistruan edhe dëmtime të pronës publike e private.

Pas protestave të shoqëruara me akte dhune në kryeqytet, situata është përshkallëzuar edhe në qytete të tjera të vendit, ku të rinjtë janë ngritur në protesta.

Në Elbasan protestuesit u mblodhën para godinës së Bashkisë, duke thyer sende dhe orendi. Ata dogjën pothuaj të gjitha koshat e mbeturinave në rrugën kryesore por edhe tabela rrugore, si dhe shembën derën e gjimnazit “Kostandin Kristoforidhi”.

Situata u tensionua edhe në Korçë, ku gjatë protestës janë sulmuar me gurë institucionet arsimore dhe komisariati i qytetit. Protestuesit u pozicionuan rreth godinës, ndërsa policia ka bllokuar rrugicën që të çon drejt institucionit. Po ashtu efektivët e policisë filluan shoqërimet në komisariat të disa protestuesve.

Në Shkodër dhjetëra të rinj bojkotuan mësimin dhe dolën në protestë, duke marshuar nga fakulteti i Gjuhëve të Huaja drejt bashkisë, ku qëlluan me gurë godinën e institucionit vendor. Po ashtu pre e akteve të dhunës u bë edhe godina e Rektoratit të Universitetit “Luigj Gurakuqi”, si dhe selitë e PS-së dhe PD-së, ndërsa Policia shoqëroi disa protestues.

Në Vlorë, protestuesit marshuan në rrugët e qytetit, si dhe goditën me vezë në drejtim të godinës së bashkisë. Protestuesit kërkojnë përmirësimin e kushteve në universitete dhe uljen e tarifave studentore, ndërsa paralajmërojnë se do të vazhdojnë të kërkojnë plotësimin e kërkesave të tyre.

Protesta u regjistruan edhe në Durrës ku u dëmtuan ambientet e Postës Shqiptare. Protestuesit u përplasën me forcat e policisë duke regjistruar të tjera akte dhune ndaj institucioneve por edhe bizneseve private. /j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›