Protestat studentore, Rama përsërit ftesën për dialog

Politikë | 26 minuta më parë
Kryeministri Edi Rama ka ripërsëritur edhe mëngjesin e kësaj të mërkure thirrjen drejtuar studentëve dhe pedagogëve për dialog, në një kohë kur protestat kundër qeverisë vijojnë prej 22 ditësh.
Përmes një videoje të publikuar në rrjetin social Facebook, kreu i qeverisë ka nxjerrë sërish para godinës së Kryeministrisë tryezën prej guri, mbi të cilën janë vendosur fletë me mbishkrimin “Dialog”.
Me këtë veprim simbolik, Rama ka përcjellë edhe një herë mesazhin për t’u ulur në bisedime me studentët dhe pedagogët.
Thirrja e Kryeministrit vjen mes protestave që nisën më 13 tetor, kur gjimnazistë, studentë dhe pedagogë u mobilizuan fillimisht para Ministrisë së Arsimit dhe më pas pranë institucioneve të tjera shtetërore për të shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj politikave qeveritare.
Megjithatë, qëndrimet brenda lëvizjes studentore kanë qenë të ndryshme.
Një pjesë e studentëve i janë rikthyer auditorëve, duke i dhënë fund bojkotit që zgjati rreth dy javë, ndërsa një grup tjetër vijon të mbështesë ndërprerjen e procesit mësimor dhe mobilizimin e studentëve në protestë.
Pavarësisht ftesave të përsëritura nga Kryeministri, protestuesit kanë refuzuar deri më tani dialogun me qeverinë.
Ata kanë vendosur si kërkesë kryesore dorëheqjen e Edi Ramës, ndërsa krahas çështjeve që lidhen me arsimin kanë artikuluar edhe kërkesa të tjera me karakter politik.
Nga ana tjetër, Rama është shprehur i gatshëm të shqyrtojë çdo propozim që do të paraqitet nga studentët dhe pedagogët.
Ai ka bërë të ditur se qeveria po përgatit gjithashtu një paketë masash që synon adresimin e nevojave dhe shqetësimeve të tyre, duke këmbëngulur se dialogu mbetet rruga e vetme për zgjidhjen e situatës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.