Protestë, dhunë dhe Tiranë kaotike/ Koçiu: Të miturit larg protestës, jeta vlen më shumë se beteja politike

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka reaguar lidhur me pamjet e dhunës në rrugët e Tiranës, duke shprehur shqetësimin për përfshirjen e të rinjve dhe të miturve në protesta.
Koçiu thekson se, pavarësisht bindjeve politike, siguria dhe e ardhmja e fëmijëve janë një shqetësim i përbashkët për të gjithë.
Ajo nënvizon se të rinjtë kanë të drejtë të protestojnë, të shprehen dhe të kërkojnë një të ardhme më të mirë, por nuk duhet të përfshihen në akte dhune apo të përdoren për beteja politike.
“Pavarësisht bindjeve politike, të gjithë kemi të njëjtin shqetësim: sigurinë dhe të ardhmen e fëmijëve tanë.
Pamjet e dhunës në rrugët e Tiranës janë shqetësuese, sidomos kur mes tyre shohim të rinj dhe të mitur.
Të rinjtë kanë të drejtë të protestojnë, të shprehen dhe të kërkojnë një të ardhme më të mirë. Por askush nuk duhet t’i përfshijë në dhunë apo t’i përdorë për beteja politike. Në fund të ditës, çdo prind dëshiron që fëmija i tij të kthehet shëndoshë e mirë në shtëpi.
Asnjë betejë politike nuk vlen më shumë se jeta, siguria dhe e ardhmja e fëmijëve tanë.”