Pse macet preferojnë të flenë në anën e majtë – dhe si mund t’i ndihmojë kjo për të mbijetuar?

TIRANË, 29 korrik /ATSH/- Macet flenë midis 12 dhe 16 orë në ditë, dhe një studim i ri sugjeron se shumica e tyre preferojnë të shtrihen në anën e majtë, sipas “Science Alert”.
Dihet tashmë që macet preferojnë një pozicion të ngritur kur flenë, si në majë të një peme, ose diku në grumbullin e valixheve në dollapin tuaj, larg grabitqarëve të tokës dhe pronarëve të etur për përqafime.
Kjo sjellje u lejon atyre të shohin çdo kërcënim që vjen nga larg.
Autorët e studimit arsyetuan se pozicionet e gjumit të maceve – pavarësisht nëse shtrihen në anën e majtë apo të djathtë – mund të shërbejnë për funksione të ngjashme.
“Asimetritë në sjellje mund të kenë përparësi sepse të dy hemisferat e trurit specializohen në detyra të ndryshme”, tha neuroshkencëtari i sjelljes, Onur Gunturkun, nga Universiteti “Ruhr Bochum”, në Gjermani.
Gunturkun dhe ekipi i tij analizuan pozicionet e gjumit të maceve në 408 video të zgjedhura me kujdes në “YouTube” – të cilat zbuluan statistikisht, një prirje për të fjetur në anen e majtë.
Dy të tretat e maceve zgjodhën të shtriheshin në anën e majtë, një pozicion që nuk e pengon fushën vizuale (të majtë) nga trupi i tyre.
Fusha vizuale e majtë ushqehet me anën e djathtë të trurit, e cila shoqërohet me ndërgjegjësimin hapësinor, identifikimin e kërcënimit dhe koordinimin e arratisjes së shpejtë.
Pra, ky pozicion gjumi mund t’i japë maces një kohë reagimi më të shpejtë kur zgjohet nga një grabitqar.
“Gjumi është një nga gjendjet më të prekshme për një kafshë, pasi vigjilenca kundër grabitqarëve zvogëlohet në mënyrë drastike, veçanërisht në fazat e gjumit të thellë”, sipas studimit.
“Ne jemi të prirur të besojmë se pozicioni i gjumit në anën e majtë tek macet mund të jetë nxitur në mënyrë evolucionare – nga asimetritë hemisferike të përpunimit të kërcënimit, por nuk mund të përjashtohen edhe faktorë të tjerë”, thuhet në studim. //a.i/