Psikologia: Ekspozimi i fëmijëve në rrjete sociale, shqetësuese

Psikologia Eriona Hoxha tha në studion e Quo Vadis në Vizion Plus se ekspozimi i fëmijëve në rrjetet sociale nga vetë prindërit, është shumë shqetësuese.
Bazuar në rastin e rëndë në Patos, ku babai abuzoi me vajzën e mitur, Hoxha nënvizoi se autori i dyshuar mund të jetë një pedofil klinik, ku mund të ketë abuzuar edhe me fëmijë të tjerë.
“Ne vazhdojmë të themi që familja është shtylla e gjithçkaje, por rrjetet sociale na kanë sjellë një ekspozim të gjithanshëm. Ka sjellje të papërshtatshme, si mënyra se si një prind ekspozon një fëmijë. Bota bën thirrje që të mos ekspozohen fëmijët”, tha psikologia.
Sipas psikologes, nuk duhet të dalë asnjë detaj gjatë punës që bëhet me fëmijët e abuzuar.
Eriona Hoxha tregoi edhe rastet kur abuzuesit kanë thënë se fëmijët e kanë dashur vetë.
“Ne kemi humbur humanitetin dhe kemi pak respekt për dhimbjen e tjetrit. Edhe ajo, si nënë, mund të ketë frikërat e saj. Ai, autori i dyshuar mund të jetë një pedofil klinik, që nesër mund të vijë një dëshmi që ai ka abuzuar edhe me fëmijë të tjerë.
Fëmija duhet të ketë një të ardhme. Në këtë pikë, ne e kemi etiketuar. Askush nuk mund t’ia mbrojë më privatësinë. Si do të punosh nesër me këtë fëmijë? Ai fëmijë nesër do ta ketë të vështirë të rifutet në çdo aktivitet. Në vend që t’ia kishim bërë më të lehtë, ndodhi e kundërta. Nuk duhet të dalë asnjë detaj gjatë punës që bëhet me fëmijët e abuzuar. Fëmija ka dalë në kushte nate, që do të thotë se nuk e ka trembur as errësira, asgjë tjetër, sepse rreziku brenda shtëpisë ka qenë më i madh.
Kam pasur raste kur fajtorët kanë thënë se “fëmijët e kanë dashur vetë”. Kur një fëmijë sheh që këtë gjë ia bën vëllai, daja, babai, ai e percepton në vogëlinë e vet si një marrëdhënie dashurie. Por kur rritet, kur shkon në moshën e pubertetit, e kupton që ka qenë një rast abuzimi”, tha Hoxha.
/vizionplus.tv