E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pushime vjeshte në Shëngjin, mosha e tretë ndër frekuentuesit më të rregullt këtë periudhë

Edhe pse data shënon mesin e muajit shtator dhe stina e vjeshtës ka nisur zyrtarisht, Shëngjini vijon të jetë një destinacion i frekuentuar nga pushuesit. 

Këto pamje nga zona turistike tregojnë një prani të konsiderueshme vizitorësh, kryesisht të moshës së tretë, të cilët kanë zgjedhur të bëjnë pushimet në këtë periudhë të vitit.

“Shtatorin e kemi zgjedhur për arsye se kemi dëgjuar që do të jetë koha e përshtatshme. Dhe çmimet janë pak më të lira se në korrik e gusht. Qetësia është në nivel. Freskia është e bukur,” thotë një pushues.

Pushuesit thonë se kjo është koha ideale për të shijuar detin dhe qetësinë që ofron bregdeti jashtë kulmit të frekuentimit apo temperaturave ekstremisht të larta.

“Në gusht është shumë nxehtë. Ti ndoshta vjen për të pushuar e për t’u rrezitur, por mundet të kesh pasoja prej tyre,” shprehet një pushuese.

“Njerëz ka më pak. Kështu e preferoj unë. Koha më përshtatet, për shkak se është shumë nxehtë në gusht,” shton një pushues.

Ndërkohë, përgjatë vijës bregdetare, shërbimet e pushtetit vendor dhe biznesi vendas vijojnë të jenë prezente për të përmbushur kërkesat e vizitoreve në këtë periudhë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›