E Hënë, 2 Nëntor 2026

QSUT: Tre akseleratorët linearë në shërbimin Onokologjik plotësisht funksionalë

TIRANË, 8 korrik/ATSH/ Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” sqaron opinionin publik se të tri pajisjet akseleratorë linearë në njësinë e Radioterapisë, pranë Shërbimit të Onkologjisë, janë plotësisht funksionalë dhe pacientët vijojnë të marrin trajtimin sipas planifikimit të përcaktuar.

Në një postim në rrjetet sociale QSUT thekson se “edhe në rastet e rralla të avarive teknike, shërbimi nuk ndërpritet, pasi pacientët riorganizohen dhe trajtohen në dy akseleratorët e tjerë funksionalë, duke garantuar vazhdimësinë e terapisë”.

“Publikimi i informacioneve të pasakta cenon besimin e pacientëve dhe familjarëve të tyre, krijon konfuzion të panevojshëm dhe pengon mbarëvajtjen e punës së stafit mjekësor, i cili është i angazhuar çdo ditë në ofrimin e shërbimit cilësor për pacientët”, thuhet në postimin e QSUT-së.

Spitali Onkologjik disponon tre akseleratorë linearë nëpërmjet të cilëve trajtohen me radioterapi pjesa më e madhe e tumoreve solide që kanë nevojë për këtë lloj trajtimi me teknika precize të avancuara, gjerësisht të përdorura në vendet e zhvilluara 3DcRT, IMRT, IGRT dhe VMAT.

Akseleratori i tretë në spitalin Onkologjik është vënë në punë në njësinë e Radioterapisë prej dhjetorit 2025.

/k.s/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›