E Martë, 3 Nëntor 2026

Qendra multifunksionale në Luginën e Vjosës, qeveria shpronëson pronarin e tokës

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi shpronësimin, për interes publik, të një pasurie private në qytetin e Vlorës, e cila preket nga realizimi i “Qendrës multifunksionale në Luginën e Vjosës”. 

Vlera e përgjithshme e kompensimit për pronarin e pasurisë së paluajtshme është caktuar në shumën prej 1 079 595 lekësh, ndërsa shpenzimet procedurale të shpronësimit arrijnë në 70 000 lekë, të cilat do të mbulohen nga buxheti i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit.  

Sipas vendimit, fondi për kompensimin financiar do të përballohet nga buxheti i shtetit, përmes llogarisë “Fondi i shpronësimeve” në Bankën e Shqipërisë. 

Procesi i shpronësimit nis menjëherë pas publikimit të vendimit në Fletoren Zyrtare dhe pritet të përfundojë brenda tre muajve nga hyrja e tij në fuqi. Pronari do të kompensohet pas paraqitjes së dokumentacionit të plotë pranë Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin, e cila do të ndjekë të gjitha procedurat për likuidimin. 

Ndërkohë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, përmes drejtorisë vendore në Vlorë, do të nisë brenda 30 ditëve procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit në hartën kadastrale. 

Qendra multifunksionale që do të ndërtohet në këtë zonë do të promovojë vlerat natyrore dhe kulturore që zotëron territori i lumit të fundit të egër në Evropë. Kompania fituese për ngritjen e qendrës multifunksionale është shpallur studioja projektuese “CEBRA A/S & Arup Internatioonal Projects Limited & Barker Langham Limited & UNO”.  

Projekti që do të vihet në jetë ndërthur investimet që do të bëhen me natyrë, duke e shoqëruar rrugëtimin me informacione, stacione ndalimi për turistët apo edhe muzeun e informacionit, që jep më shumë detaje mbi këtë pasuri kombëtare. 

VKM ngarkon Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencinë Shtetërore e Kadastrës, Drejtorinë Vendore Vlorë dhe Agjencinë Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi. 

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”. 

/e.i//r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›