Qeveria: Nuk ka rrezik për sulme! Kërcënimi nga Irani, PD kërkon mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare

Qeveria ka garantuar qytetarët shqiptarë se nuk ka asnjë arsye për tu shqetësuar për sigurinë në vend.
Një ditë pasi ambasada e SHBA në Tiranë paralajmëroi qytetarët amerikanë për rrezikun e sulmeve nga Irani, ministri i mbrojtjes Ermal Nufi deklaroi se ky është një njoftim rutinë i të gjitha selive diplomatike të Shteteve të Bashkuara e nuk ka arsye për tu shqetësuar
“Nuk ka vend për shqetësim. Ambasada Amerikane ka bërë thirrjen për të gjithë qytetarët e saj, e bën për të gjithë Evropën. Nuk e ka specifike për Shqipërinë”, tha Ermal Nufi, ministër i Mbrojtjes
Por sqarimi i qeverisë shqiptare nuk e bindi opozitën, e cila kërkoi në parlament mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe sqarime nga kryeministri Edi Rama.
“Një qeveri që nuk arrin dot me radar të kontrolloj naftën që futet kontrabandë, një qeveri që s’ka kapur një gramë kokainë edhe pse i kalon para syve, një qeveri që për vite të tëra nuk pa 98% të sipërfaqe të mbjella me kanabis, nuk mund të jetë e besueshme. Përpjekjet për të diskredituar informacion zyrtar të SHBA si hamendeshim e bën Shqipërinë qesharake në rastin më të mirë, në rastin më të keq jep mesazhin se Shqipëria s’ka bashkëpunim me aleatin tonë strat në fushën e sigurisë, apo nuk ka besim mes njëri-tjetrit. Mesazhi politik që dha dje Rama, përmes zyrës së shtypit është që shqiptarët s’duhet t’i besojnë SHBA për çështje të sigurisë dhe se nuk duhet t’i kushtojnë vëmendje njoftimeve të tyre. Tentativë për të diskredituar SHBA”, tha Gazment Bardhi, kryetar i grupit parlamentar, PD
“Unë i kërkoj presidentit të republikës të thërrasë urgjentisht Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të analizuar një situatë që s’mund të kapërcehet thjesht me deklarime në Kuvend, as me politizimin e kësaj çështjeje. Ju kërkoj edhe ju z. kryetar që ti kërkoni presidentit të thërrasë Këshillin e Sigurisë Kombëtare”, shtoi Fatmir Mediu, deputet i PR.
Ndërkaq ministri i Brendshëm përsëriti se nuk ka asnjë arsye për tu shqetësuar, duke vënë në dukje se prej disa kohësh policia e shtetit, strukturat e antiterrorit kanë marrë masa duke komunikuar vazhdimisht edhe me 2 ambasada në Tiranë.
“Jo më larg se mbrëmjen e djeshme, u kam kërkuar strukturave të Policisë, konkretisht strukturave të Antiterrorit, të Departamentit të Sigurisë Publike dhe Policisë Kriminale, të jenë në komunikim me zyrën e Sigurisë së Ambasadës Amerikane, nga të cilat me përgjegjësi të plotë konfirmoj se është komunikuar, e nuk ka asnjë informacion konkret, qoftë edhe inteligjencë, për një situatë rreziku real”, deklaroi Besfort Lamallari, ministër i Brendshëm.
Një ditë më parë ambasada e SHBA në Tiranë publikoi një mesazh për qytetarët amerikanë duke i paralajmëruar të bëjnë kujdes në Shqipëri.
“Grupet e lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë subjekte të lidhura me Shtetet e Bashkuara ose elementë të opozitës iraniane në Shqipëri. Ata gjithashtu mund të synojnë vende të zakonshme, të tilla si vende turistike, qendra tregtare, hotele, klube dhe restorante. Ne i inkurajojmë qytetarët amerikanë të ushtrojnë vigjilencë të shtuar”, thuhej në mesazhin e ambasadës për qytetarët amerikanë.