E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria dhe grupi i PS mblidhet për analizimin e punës, Rama: Ndaj reflektimet e mia mbi protestën e “flamingove”

Qeveria dhe grupi parlamentar i Partisë Socialiste janë mbledhur këtë të premte në Pallatin e Brigadave, ku në fokus të diskutimeve janë analiza e punës së qeverisë, situata politike, objektivat e shumicës qeverisëse dhe angazhimet për periudhën në vijim.

Mbledhja drejtohet nga kryeministri Edi Rama, i cili pritet të mbajë fjalën e tij gjatë mesditës. Rama pritet të ndalet te prioritetet e qeverisë, por edhe te reflektimi i tij lidhur me protestat dhe debatet e fundit publike.

Një ditë më parë, kryeministri njoftoi përmes një reagimi në rrjetet sociale se ishte duke përgatitur fjalën për mbledhjen e grupit parlamentar dhe qeverisë, duke iu referuar edhe një “reflektimi mbi pasqyrën e bulevardit të flamingove”.

“Jam duke shkruar fjalën për nesër në mbledhjen e grupit parlamentar dhe të qeverisë. Shihemi nesër paradite, mbledhja fillon në 09:30, por do ishte kënaqësi të ndaja me ju të gjithë reflektimin tim mbi pasqyrën e bulevardit të flamingove, ai që ishte se ky që ka mbet është i sorrave dhe i korbave”, shkroi Rama.

Takimi nisi me një raport përmbledhës nga kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, mbi aktivitetin parlamentar, ndërsa më pas pritet të flasë kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla lidhur me problematikat. Kryeministri Rama pritet të marrë fjalën rreth mesditës ku në fokus do të jenë drejtimet kryesore të qeverisjes dhe sfidat e periudhës së ardhshme.

Në takim marrin pjesë ministrat, deputetët socialistë, si dhe drejtues të institucioneve në varësi të qeverisë. Një nga çështjet që pritet të diskutohet janë edhe ndryshimet e mundshme në kabinetin qeveritar dhe në drejtimin e disa institucioneve publike.

Kryeministri Rama pritet të japë udhëzime dhe objektiva të reja për ministrat dhe drejtuesit e institucioneve, ndërsa lëvizjet në poste drejtuese mund të prekin zyrtarë që nuk kanë përmbushur pritshmëritë apo detyrat e vendosura nga qeveria.

Një tjetër pikë e rëndësishme e diskutimit pritet të jetë integrimi europian, i cili konsiderohet një nga prioritetet kryesore të këtij mandati qeverisës.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›