E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria e Kosovës miraton propozimin për dërgimin e FSK në Gazë

PRISHTINË, 30 mars/ATSH/ Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për t’i kërkuar Kuvendit dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese në Gazë.

Kryeministri, Albin Kurti, në mbledhjen e sotme të ekzekutivit tha se dërgimi i personelit ushtarak të Kosovës në Gaza bazohet pas pranimit të ftesës nga SHBA-të si dhe shprehjes së vullnetit politik në kuadër të Bordit të Paqes.

“Dërgimi i personelit tonë ushtarak atje bazohet në koordinime të realizuara pas pranimit të ftesës nga Komanda Qendrore e SHBA-së në tetor të vitit të kaluar, në përputhje me rezolutën 2803 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe shprehjes së vullnetit politik në kuadër të Bordit të Paqes. Të gjitha operacionet e ushtrisë sonë do të zhvillohen në përputhje të plotë me Kartën e Kombeve të Bashkuara, të drejtën humanitare dhe rregullat e tjera të përcaktuara me këtë mision”, tha Kurti.

Në anën tjetër, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se përmes këtij angazhimi Kosova dëshmon se është partner i besueshëm dhe i gatshëm të veprojë krah aleatëve në mbështetje të paqes, sigurisë dhe mbrojtjes së civilëve.

“Përmes këtij angazhimi Republika e Kosovës dëshmon se është partner i besueshëm, i përgjegjshëm dhe i gatshëm të veprojë krah aleatëve në mbështetje të paqes, sigurisë dhe mbrojtjes së civilëve. Ky vendim forcon edhe më tej profilin ndërkombëtar të shtetit tonë, afirmon profesionalizmin e FSK-së dhe vendos Republikën tonë në radhën e shteteve që jo vetëm përfitojnë nga siguria ndërkombëtare, por kontribuojnë aktivisht në ruajtjen e paqes dhe rendit ndërkombëtar”, shtoi ai.

Krahas kësaj, qeveria miratoi edhe Projektligjin për banim social dhe të përballueshëm. Përmes kësaj, shefi i qeverisë tha se krijohen politika sociale më efektive dhe të qëndrueshme për familjet në nevojë.

“Ky projektligj përfaqëson një hap të rëndësishëm dhe të menduar thellë drejt ndërtimit të një sistemi të drejtë dhe të qëndrueshëm të banimit të përballueshëm në Kosovë. Ai vendos themelet për politika moderne të strehimit duke përcaktuar rregulla të qarta për planifikimin, zbatimin dhe shpërndarjen e programeve të banimit, si dhe kritere të drejta për përfituesit. Për herë të parë krijohet një kornizë e integruar që lidh institucionet qendrore dhe lokale në një qasje të përbashkët. Ky ligj nuk është një hap thjesht teknik, por një hap i shtetit për të garantuar se askush nuk mbetet pa një zgjidhje strehimore”, deklaroi Kurti.

/KosovaPress//r.e/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›