E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria hap rrugën për tre projekte madhore, mbi 49 milionë lekë shpronësime në Elbasan, Lushnjë dhe në aksin drejt Qafëthanës

QKëshilli i Ministrave ka miratuar tre vendime të rëndësishme për shpronësimin për interes publik të pasurive private, duke zhbllokuar investime strategjike në infrastrukturën rrugore dhe zhvillimin urban. Vendimet e ekzekutivit, të firmosura në mungesë të Kryeministrit Edi Rama nga Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu, prekin dhjetëra pronarë në Elbasan, Lushnjë dhe në aksin e rëndësishëm kombëtar që lidh vendin me Maqedoninë e Veriut.

Fatura totale e dëmshpërblimeve të miratuara kap vlerën e rreth 49.4 milionë lekëve, ku pjesa më e madhe do të shkojë për fazën e dytë të zgjerimit të rrugës Elbasan–Përrenjas–Qafëthanë.

Korridori i Tetë, 43.3 milionë lekë dëmshpërblime për aksin Elbasan–Qafëthanë

Projekti më madhor sa i përket vlerës financiare dhe rëndësisë strategjike është ai i zgjerimit të segmentit rrugor dalja Elbasan–Përrenjas–Qafëthanë (Faza II). Për këtë projekt, shpronësimet do të bëhen në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH).

Sipas dispozitivit të vendimit të qeverisë:

“Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë… për pasuritë e llojit ‘truall’, ‘ndërtesë’ dhe ‘arë’, me një vlerë të përgjithshme prej 43 394 574.23 lekësh.”

Kjo vlerë do të përballohet plotësisht nga buxheti i shtetit përmes llogarisë “Fondi i shpronësimeve” në Bankën e Shqipërisë. Agjencia Shtetërore e Kadastrës (Zyra Vendore Librazhd) është ngarkuar që brenda 30 ditëve të nisë hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, duke pezulluar paralimisht të gjitha transaksionet për këto pasuri.

Lushnjë, treg i ri fruta-perimesh në lagjen “Skënder Libohova”

Një tjetër investim me rëndësi, këtë herë me impakt të drejtpërdrejtë në ekonominë lokale dhe shërbimin ndaj qytetarëve, është zhbllokuar në Bashkinë e Lushnjës. Qeveria ka miratuar shpronësimet në favor të kësaj bashkie për realizimin e projektit “Sistemimi i sheshit dhe ndërtimi i tregut të fruta-perimeve në lagjen ‘Skënder Libohova’, rruga ‘Pavarësia’”.

Fatura financiare e këtij shpronësimi është përcaktuar si më poshtë:

“Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 3 832 312 lekësh përballohet nga buxheti i Bashkisë Lushnjë.”

Dëmshpërblimi do të shkojë tërësisht për pronarët e tokave të llojit “truall” që preken nga ndërtimi i tregut të ri. Po ashtu, bashkia do të mbulojë edhe vlerën e shpenzimeve procedurale prej 50,000 lekësh.

Elbasan, urbanizimi i zonave informale dhe rruga “Arif Dardha”

Vendimi i tretë i ekzekutivit i vjen në ndihmë Bashkisë së Elbasanit, e cila do të marrë në dorëzim pronat e shpronësuara në zonën kadastrale 8527. Investimi synon “Përmirësimin e infrastrukturës, kryesisht në zonat informale”, përmes rikonstruksionit të gjendjes ekzistuese të rrugës “Arif Dardha”.

Për këtë projekt urban, qeveria ka sanksionuar:

“Pronarët kompensohen në vlerë të plotë… për pasuritë e llojit ‘arë’, ‘ullishte’ dhe ‘truall + ndërtesë’, me një vlerë të përgjithshme prej 2 236 667.9 lekësh, vlerë e cila përballohet nga buxheti i Bashkisë Elbasan.”

Procedurat e likuidimit dhe afatet

Për të tre vendimet, procedurat e shpronësimit do të fillojnë menjëherë pas botimit të akteve në “Fletoren Zyrtare”. Afati i përfundimit të plotë të procesit të shpronësimit është caktuar brenda 3 muajve nga data e hyrjes në fuqi.

Pronarët e përfshirë në tabelat bashkëlidhur këtyre vendimeve do të marrin paratë e dëmshpërblimit vetëm pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë justifikues ligjor pranë bashkive përkatëse (Lushnjë dhe Elbasan) ose pranë Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin (për projektin e ARRSH-së).

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›