E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria miraton ndryshimet në përbërjen e Komitetit për Planifikimin Kombëtar Spitalor

TIRANË, 1 prill/ATSH/ Në mbledhjen e sotme Këshilli Ministrave miratoi një ndryshim në përbërjen dhe funksionimin e Komitetit për Planifikimin Kombëtar Spitalor. Ky ndryshim u miratua në mbështetje të ligjit “Për shërbimin spitalor në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale. Sipas vendimit përbërja dhe mënyra e funksionimit të Komitetit për Planifikimin Kombëtar Spitalor si organ këshillimor pranë ministrit përgjegjës për shëndetësinë, me 9 anëtarë ka këtë përbërje: Prof. Alban Dibra, mjek kardiolog; Prof. Roland Bani, mjek familjeje; Prof. Alketa Qosja, mjek neonatologe; Prof. Altin Veshti, mjek kardiokirurg; Prof. Arben Rroji, mjek radiolog; Prof. Helidon Nina, mjek kirurg onkolog; Dr. Leon Kaza, mjek gjinekolog; Dr. Skënder Brataj, mjek urgjence; Rudina Degjoni, ekonomiste. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”. Komiteti për Planifikimin Kombëtar Spitalor është ngritur për herë të parë në 2022 dhe anëtarët kishin një mandat 3-vjeçar me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë. Ky komitet mblidhet me kërkesë të ministrit përgjegjës për Shëndetësinë dhe ka këto funksione: Analizon situatën aktuale të shtrirjes së shërbimit spitalor në vend; Vlerëson nevojat dhe kapacitetet spitalore bazuar në kriteret territoriale, demografike, socio-ekonomike, barrën e sëmundshmërisë si dhe plotësimin e kërkesave didaktike dhe shkencore të edukimit mjekësor; Paraqet për shqyrtim pranë Ministrit, Planin Kombëtar Spitalor; Jep mendime për çështjet e përcaktuara në Ligjin për Shërbimin Spitalor në Republikën e Shqipërisë dhe për çështje të tjera që lidhen me politikat spitalore të kërkuara nga ministri përgjegjës për shëndetësinë. /k.s/j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›