Qytetarët mbushin kinemanë “Republika” në Shkodër, pas rikonstruksionit

TIRANË, 23 janar/ATSH/ Kinema “Republika”, një nga simbolet e Shkodrës po sjell pranë publikut artdashës premiera të prodhimeve më të fundit, duke u kthyer në pol të kulturës në qytet.
Pas rikonstruksionit tërësor të godinës dhe ambienteve të brendshme, kinema “Republika” hapi dyert për qytetarët me premierën e filmit “Avatar: Fire and ASH”, 26 dhjetorin e vitit të kaluar.
Kryeministri Edi Rama, ndau në rrjetet sociale pamje nga qytetarët e shumtë që kanë mbushur sallën e kinemasë “Republika” në Shkodër, tashmë e rilindur.
Për artdashësit, në kinema “Republika” po jepet filmi “Falli 2”, me producent Marjus Dervishin. Në të, interpretojnë disa aktorë të njohur si Behar Merja, Marjana Kondi, Margent Çaushi, Klejdis Shehu, Selma Bakalli dhe Xhoana Karaj.
Publiku ka pasur mundësinë të takohet nga afër me kastin e këtij filmi që shfaqet për herë të parë në kinema “Republika”.
Ndërkohë, investimi në kinema “Republika” ka prekur çdo aspekt të kësaj godine. Ndërhyrja ka përfshirë fasadën e jashtme, duke i dhënë një pamje dinjitoze, si dhe ambientet e brendshme, të cilat janë kompletuar me infrastrukturë, arredim dhe teknologji të kohës për të garantuar cilësinë maksimale të projeksioneve.
Ky transformim e vendos kinema “Republikën” në piedestalin e hapësirave kulturore të qytetit të Shkodrës.
/e.i/j.p/