E Diel, 1 Nëntor 2026

Qytetarët në ditën e 126-të në protestë para Kryeministrisë

TIRANË, 3 tetor /ATSH/ Në ditën e 126-të të protestave kundër investimit të planifikuar në Zvërnec qytetarët u mblodhën sërish sot në sheshin “Skënderbej” dhe më pas marshuan drejt Kryeministrisë.

Protestuesit vijuan marshimin përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke kundërshtuar projektin turistik në zonën e Zvërnecit, politikat për zonat e mbrojtura dhe investimet strategjike.

Me pankarta në duar protestuesit bënë thirrje kundër qeverisë Rama dhe shitjes së Shqipërisë, sipas tyre, përmes projekteve të ndryshme turistike.

Aktivistja Sidorela Vatnikaj u shpreh, në foltoren e improvizuar para Kryeministrisë, se “jemi edhe sonte këtu për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe gjithë kabinetit qeveritar. Qindra protestues janë mbledhur në Bruksel, për t’u thënë institucioneve të Europës të vërtetën për Shqipërinë”.

“Kjo protestë është e tillë se shqiptarët e kanë mësuar se liria, dinjiteti fitohen duke luftuar sistemin e korruptuar 36-vjeçar. Jemi këtu e do jemi këtu me qytetarë të revoltuar, se Shqipëria dhe shqiptarët kërkojnë revolucion”, tha Vatnikaj.

Ndërsa aktivisti Florian Haçkaj, nga lëvizja Diaspora për Shqipërinë e Lirë tha se “ky është një shtet që nuk funksionon për ne. Unë sot ju bëj thirrje që të jemi të bashkuar, që në Tiranë të bashkohet mbarë shqiptaria. Ne duam që të jemi bashkë që të zhduket kjo keqqeverisje”.

E nisur më 31 maj në kundërshtim të investimit në Zvërnec, protesta qytetare përgjatë këtyre muajve ka zgjeruar spektrin e kërkesave duke nisur nga anulimi i ndryshimeve ligjore për zonat e mbrojtura, tek anulimi i “Paketës së Maleve”.

Dita e 126-të e protestës;fotoreporter: Florian Abazi 1 nga 12

/k.s/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›