Qytetarët në ditën e 39-të të protestës përballë Kryeministrisë

TIRANË, 8 korrik /ATSH/ Në kryeqytet ka vijuar për të 39-tën ditë radhazi protesta e qytetarëve, e cila nisi kundër investimit në Zvërnec dhe në vijim u publikuan edhe kërkesa të tjera nga nismëtarët.
Qytetarët u mblodhën në sheshin “Skënderbej”, prej nga nisën marshimin drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
Gjatë marshimit, protestuesit kanë bërë thirrje për largimin e klasës së vjetër politike.
Me pankarta në duar, ata kërkojnë gjithashtu, ndryshimin e ligjit zgjedhor dhe shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura.
Organizatorët dhe pjesëmarrësit kanë bërë thirrje për vijimin e protestës në mënyrë të qëndrueshme, ndërsa në ditët e fundit tubimi është zhvendosur edhe në formë marshimesh në disa prej akseve kryesore të Tiranës.
Në protestën e sotme fjalimet e protestuesve janë fokusuar përveç kërkesës për largimin e Kryeministrit Rama, edhe te koncerti i Kanye West.
“Kini pak kujdes me festivalin, se është një kurth. Në kohën që ne nuk kemi një paracetamol në spital, harxhojmë 4 milionë euro nga fondi i emergjencës për një festival. Ne nuk na kërcehet, ne na protestohet”, tha një protestues.
Një tjetër protestues u shpreh se “hapin thesin dhe japin 4 mln euro për një njeri, ndërkohë që ka talente shqiptare dhe nuk i paguajnë”.
Aktivisti Edison Lika, u kërkoi qytetarëve që të bojkotojnë koncertin e Kanye West në Tiranë.
“Në këto momente kur Shqipëria ka 39 ditë që është bllokuar nga protestat që kanë hyrë në shtëpinë e secilit prej nesh, duket se kryeministrit Edi Rama i kishte ardhur një urgjencë. Atij i duhej të akordonte 4 milionë euro për koncertin e Kannye West.Kjo qeveri që ka akuzuar protestuesit për antisemitizëm, fton një këngëtar antisemit të ndaluar në shumicën e vendeve të Europës. Tani ai do paguajë edhe 4 milionë euro për t’i mundësuar koncertin. Ky vend ka kaluar tërmete dhe ne nuk i kemi pasur 4 milionë euro t’ia dërgojmë njerëzve të prekur”, tha Lika.
Ashtu si edhe protestat e tjera, pas përfundimit të fjalimeve poshtë zyrës së kryeministrit Rama qytetarët vijuan me marshimin nëpër akset kryesore të Tiranës.
Në mbyllje të tubimit, qytetarët dhe aktivistët bënë thirrje që nesër, në ditën e 40-të sheshi të mbushet edhe më shumë.
Protesta e 39-të qytetare; Fotoreporter: Andrin Hoxha 1 nga 18/k.s/r.e/