E Diel, 1 Nëntor 2026

Qytetarët sërish protestë në Tiranë kundër resortit në Zvërnec

Protestat qytetare që nisën kundër projektit në Zvërnec kanë hyrë në ditën e shtatë, ndërsa tubimet dhe marshimet janë shtrirë jo vetëm në disa qytete të Shqipërisë, por edhe në qendra të rëndësishme ku jeton diaspora shqiptare.

Pas protestës së zhvilluar gjatë paradites në Zvërnec, protestuesit janë mbledhur sërish pasdite rreth orës 18:00 në sheshin “Skënderbej” në Tiranë.

Ashtu si në ditët e mëparshme, ata kanë marshuar në drejtim të Kryeministrisë, ku kanë vijuar thirrjet kundër qeverisë dhe projektit që kundërshtohet prej tyre.

“Edi Rama ka mbaruar”, “Dorëheqje”, “Rama ik” dhe “Atdheu nuk shitet” janë disa nga sloganet që dëgjohen vazhdimisht nga turma e mbledhur përballë selisë së qeverisë. Në duart e protestuesve shihen qindra pankarta, ku krahas kritikave ndaj kryeministrit nuk mungojnë as mesazhet kundër figurave të tjera politike, përfshirë sloganin “Rama në burg, Berisha në burg”.

Protestës iu bashkuan edhe të rinj nga Kosova, të cilët udhëtuan drejt Tiranës për të mbështetur kauzën e kundërshtimit të resortit në Zvërnec dhe për të inkurajuar protestuesit të vijojnë rezistencën.

“Ne nuk jemi asnjëherë kundër investimeve serioze, të huaja apo të brendshme, për të rritur përditë Shqipërinë. Asnjëri nuk është kundër rritjes dhe mirëqenies së Shqipërisë, asnjëri nga 50 mijë veta apo më shumë që janë këtu. Por çdo gjë të jetë e ndershme dhe për shqiptarët. Tani kryeministrit të pakicës i ka ngelur vetëm një gjë, siç e thonë edhe tifozët kuq e zi: “të japë dorëheqjen”, tha protestuesi i ardhur nga Kosova.

“Veç një lutje kam për ju: mos u dorëzoni. Rezistoni, ju do të fitoni. Kosova është me ju, Kosova është me Nënën Shqipëri”, tha një tjetër.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›