E Martë, 3 Nëntor 2026

RENEA arreston Astrit Avdylaj, kreu i bandës së Shijakut prangoset brenda vilës së tij

Një nga personazhet më famëkeq të botës së krimit, i konsideruar si i paprekshëm, Astrit Avdylaj është arrestuar këtë të shtunë nga Forcat Operacionale dhe RENEA në banesën e tij në Shijak.

Kreu i një prej bandave më të rrezikshme në vend, është prangosur pasi ndaj tij Gjykata e Posaçme kishte caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë, në kuadër të dosjes Revanshi, në të cilën SPAK ka goditur disa grupe kriminale, bosë të krimit të organizuar, politikanë, biznesmenë etj.

Pas ndërhyrjes në vilën e tij, 50-vjeçari Astrit Avdylaj është shoqëruar me pranga në duar drejt komisariatit të policisë.

Atij i është sekuestruar edhe një pistoletë.

Në kuadër të dosjes Revanshi, SPAK lëshoi 50 urdhra arresti, nga të cilat janë ekzekuguar vetëm 20.

Në këte operacion, u goditën 7 grupe kriminale, në mesin e tyre Ervis Martinajn, grupin e Avdylajve, Endrit Doklen, vëllezërit Durim dhe Valter Bami, ish-deputetin e PS-se Arben Ndoka dhe të afërm të tij.

Sipas hetimeve banda e Avdylajve në Shijak bashkëpunonte me atë të Bajrave në Shkodër dhe Ndokajve në Lezhë,  për ekzekutimin e Durim Bamit. Ndërkohë në zbërthimet e përgjimeve doli në pah edhe përplasja e ashpër mes Avdylajve dhe bosit të lojërave të fatit Ervis Martinaj, të cilët më heret kishin qënë miq.

Astrit Avdylaj dhe vëllai i tij Altini konsiderohen dy persona mjaft të rrezikshëm. Altin Avdylaj u arrestua në vitin 2018 gjatë operacionit “Volvo 4” për laboratorin e kokainës që u gjet ne Has por dosja mbeti pezull për një kohë të gjatë duke çuar në skadimin e afateve të paraburgimit./vizionplus.tv

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›