E Martë, 3 Nëntor 2026

RIAD – Trump mbërrin në Arabinë Saudite në udhëtimin e parë të mandatit të dytë

RIAD, 13 maj /ATSH-DPA/ – Presidenti i SHBA-së, Donald Trump mbërriti në Riad, në udhëtimin e tij të parë disaditor jashtë vendit që kur u rikthye në Shtëpinë e Bardhë, në fillim të këtij viti.

Trump u prit në aeroportin ndërkombëtar ”Mbretit Khalid” nga princi i Kurorës, Mohammed bin Salman, i konsideruar sundimtari ”de facto” i Arabisë Saudite.

Riadi është ndalesa e parë e turneut të Trump në Gjirin Persik, përpara vizitave në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katar.

Udhëtimi pritet të përqendrohet në marrëveshjet ekonomike, luftën në Gaza dhe programin bërthamor të Iranit.

Trump do të marrë pjesë në një takim saudito-amerikan për investimet, përpara një samiti me udhëheqësit e Arabisë Saudite, Kuvajtit, Omanit dhe Bahreinit.

Bisedimet e tij në Riad mund të çojnë në një marrëveshje mbi teknologjinë bërthamore civile me Arabinë Saudite.

Mbretëria ka njoftuar tashmë se do të investojë 600 miliardë dollarë në Shtetet e Bashkuara gjatë viteve të ardhshme, ndërsa Trump ka thënë se do t’i kërkojë princit të kurorës ta rrisë këtë shumë në rreth një trilion dollarë.

Arabia Saudite ishte destinacioni i udhëtimit të parë të Trump si president në vitin 2017, gjatë mandatit të tij të parë, pasi vendi i pasur me naftë njoftoi 450 miliardë dollarë investime në Shtetet e Bashkuara./   /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›