RIGA – Letonia kërkon përshpejtimin e ndërtimeve për mbrojtjen e kufijve me Rusinë dhe Bjellorusinë

RIGA, 20 gusht /ATSH-DPA/ – Presidenti letonez, Edgars Rinkevics ka kërkuar ndërtime më të shpejta të mbrojtjeve përgjatë kufijve të vendit me Rusinë dhe Bjellorusinë duke përmendur rreziqet e sigurisë nga lufta e Moskës në Ukrainë.
Duke vizituar kufirin pranë Zaborjes dhe i veshur me uniformë ushtarake, Rinkevics u informua mbi planet për gardhe, barriera betoni dhe pengesa antitank.
Ai ishte së bashku me shefin ushtarak të Letonisë, Kaspars Pudans dhe kreun e rojes kufitare, Guntis Pujats.
Presidenti tha se, duke pasur parasysh ngjarjet në Ukrainë, Letonia duhej të ishte e përgatitur për të gjitha skenarët në vitet e ardhshme.
Ai vuri në dukje se kufiri dukej thelbësisht i ndryshëm nga dy vjet më parë, por argumentoi se mbetej më shumë për t’u bërë, si për shembull përfundimi i gardhit me sensorë dhe kamera mbikëqyrjeje, ashtu edhe për instalimin e barrierave prej betoni dhe antitank.
Ai gjithashtu mbështeti planet për të zgjeruar rripin kufitar nga 12 në 42 metra.
Barrierat janë pjesë e një linje të përbashkët mbrojtëse baltike me Estoninë dhe Lituaninë, e projektuar për të penguar agresionin e mundshëm rus dhe në përputhje me planet mbrojtëse të NATO-s për rajonin./ a.jor.