ROMË – Tajani: Italia e gatshme të ndërmjetësojë dhe të luajë një rol në çështjen e Groenlandës

ROMË, 19 janar /ATSH-ANSA/- Ne përpiqemi gjithmonë të përdorim logjikën e shëndoshë, sepse komunikojmë me të gjithë, dhe gjithmonë themi të vërtetën, tha sot zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani.
“Ne punuam mirë për marrëveshjen e tarifave dhe besoj se mund të kemi sukses edhe në këtë rast. E rëndësishme është të kuptohemi”, tha ai.
“Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni është angazhuar në dialogun me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe me evropianët”, tha Tajani.
“Dhe besoj se Italia, pikërisht nga natyra dhe aftësia e saj për të ndërmjetësuar dhe komunikuar me të gjithë, mund të luajë një rol pozitiv në arritjen e marrëveshjeve, pasi nuk ka absolutisht nevojë për luftëra tregtare apo konflikte”, theksoi ai.
“Dialogu është i nevojshëm dhe ne duhet të gjejmë zgjidhje që nuk penalizojnë askënd”, tha ministri i Jashtëm, Tajani.
Një mundësi për bisedime mund të ofrojë edhe Forumi Ekonomik Botëror në Davos.
Presidenti amerikan, Donald Trump pritet të mbërrijë atje të mërkurën.
Edhe kancelari gjerman Friedrich Merz do të marrë pjesë në samitin në Davos.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte deklaroi pas një bisede telefonike me Trumpin:
“Ne do të vazhdojmë të punojmë në këtë drejtim. Një takim pritet me Trump në Davos”, tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte pas një bisede telefonike me presidentin e SHBA-së.
Italia, një nga anëtaret themeluese të NATO-s, nuk dërgoi asnjë trupë në Groenlandë, si pjesë e misionit të zbulimit të udhëhequr nga Danimarka.
Në mision krahas Danimarkës, morën pjesë shtatë vende të tjera evropiane, Norvegjia, Suedia, Franca, Gjermania, Britania e Madhe, Holanda dhe Finlanda. //a.i/