RUSI – Kremlini: Negociatat për paqen në Ukrainë në fazën përfundimtare

MOSKË, 29 dhjetor /ATSH-DPA/ – Moska beson se paqja në Ukrainë po afrohet dhe pajtohet me vlerësimin e presidentit amerikan, Donald Trump se palët ndërluftuese janë pranë një zgjidhjeje dhe se negociatat kanë hyrë në fazat e tyre përfundimtare, deklaroi sot për agjencitë ruse të lajmeve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Megjithatë, ai nuk specifikoi se cilat opsione të planit të paqes po diskuton aktualisht Moska me Uashingtonin.
Drafti fillestar me 28 pika u reduktua në 20, pas kundërshtimeve nga evropianët dhe ukrainasit.
Trump foli me presidentin rus Vladimir Putin përpara se të takohej dje me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
Peskov tha se një tjetër telefonatë pritet të zhvillohet “në një të ardhme shumë të afërt”, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Deklaratat e Peskovit nuk tregojnë ndonjë lëshim nga pala ruse. Moska vazhdon të këmbëngulë në kërkesat e saj maksimale, përfshirë pretendimet territoriale ndaj Ukrainës.
“Rusia po shqyrton përfundimin e konfliktit ushtarak me synimin për të arritur objektivat e saj”, tha zëdhënësi, duke theksuar sërish se Moska nuk do të devijojë nga qëllimet e saj.
Peskov iu përgjigj kërkesës së Zelenskyt për një “Plan B” rus me një kërcënim, duke vënë në dukje se është Ukraina ajo që vazhdon të humbasë territor.
“Dhe nesër, situata do të jetë ndryshe nga ajo që mbizotëron sot”, tha ai, duke lënë të kuptohet se Rusia mund t’i ashpërsojë kërkesat e saj nëse Ukraina nuk tërhiqet shpejt.
Pavarësisht deklarimeve për gatishmëri për negociata, Putin vazhdon të pretendojë rajonin lindor të Donbasit në Ukrainë, edhe pse Moska ende nuk ka arritur kontroll të plotë ushtarak mbi këtë zonë industriale./ /Ad.Ab./ a.jor.