E Diel, 1 Nëntor 2026

RUSI – Kremlini: Putin i hapur për takim me Zelenskyn në Moskë

KIEV, 28 janar /ATSH-DPA/ – Presidenti rus Vladimir Putin është i hapur për të takuar presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky për të diskutuar rreth luftës në Ukrainë, tha sot këshilltari për politikën e jashtme i Kremlinit, Yuri Ushakov.

“Rusia kurrë nuk e ka përjashtuar një takim të tillë”, tha Ushakov për televizionin shtetëror.

“Nëse Zelensky është vërtet i gatshëm për bisedime, ai mund të vijë në Moskë”, shtoi Ushakov, duke theksuar se Putin e ka thënë këtë disa herë më parë.

“Një takim i tillë duhet të përgatitet mirë dhe të fokusohet te rezultatet”, nënvizoi ai.

”Rusia do të garantojë sigurinë e presidentit ukrainas”, shtoi Ushakov.

Megjithatë, Ukraina e konsideron të papranueshëm një udhëtim të Zelenskyt në Moskë për arsye sigurie.

Ministri ukrainas i Jashtëm, Andrii Sybiha, kishte deklaruar më parë se Zelensky është i gatshëm të negociojë çështje të ndjeshme drejtpërdrejt me Putin, si pjesë e përpjekjeve për të ndalur luftën e Rusisë.

“Çështjet më të ndjeshme në kërkimin e një marrëveshjeje paqeje ende nuk janë zgjidhur,” tha Sybiha në një intervistë për portalin ukrainas “European Pravda”.

Këto përfshijnë pyetje territoriale dhe centralin bërthamor të Zaporizhias, i cili ndodhet nën kontrollin e  Rusisë.

Zelensky ka bërë disa herë thirrje për një takim me presidentin rus, ndërsa Moska ka qenë vazhdimisht e rezervuar.

Një takim mes dy liderëve ka qenë gjithashtu një temë e shpeshtë në bisedat telefonike mes presidentit Putin dhe presidentit amerikan, Donald Trump.

Fundjavën e kaluar, negociatorë nga Ukraina dhe Rusia zhvilluan bisedime direkte, për herë të parë pas disa muajsh, në Emiratet e Bashkuara Arabe me ndërmjetësimin e SHBA-së.

Bisedimet pritet të vazhdojnë të dielën në Abu Dabi./  /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›