RUSI – Putin: Sulmi kundër Iranit një agresion i paprovokuar

MOSKË, 23 qershor /ATSH-AFP/ – Presidenti rus, Vladimir Putin dënoi sot sulmet kundër Iranit, një aleat i ngushtë i Kremlinit, duke i quajtur ato “agresion të paprovokuar” pa “bazë” ose “justifikim”, gjatë një pritjeje për ministrin e Jashtëm iranian, Abbas Araghchi në Moskë.
“Një agresion i paprovokuar kundër Iranit që nuk ka bazë apo justifikim”, i tha Putin ministrit Abbas Araghchi gjatë një fjalimi të transmetuar në televizionin rus.
“Ne po punojmë për t’i ofruar ndihmë popullit iranian”, shtoi ai duke folur pas sulmeve të SHBA-së në zonat bërthamore iraniane dhe sulmeve izraelite të kryera gjatë 10 ditëve të fundit.
Ndërkohë, Putin dhe kryeministri irakian Mohamed Shia al-Sudani, të dy vendet e të cilëve janë prodhues të mëdhenj të naftës, “shprehën shqetësimin e tyre” po sot, në lidhje me “rreziqet për tregjet e energjisë” të lidhura me luftën midis Iranit dhe Izraelit.
”Gjatë një bisede telefonike, të dy udhëheqësit theksuan gjithashtu rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit aktiv brenda OPEC+, Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës, dhe aleatëve të saj”, tha Kremlini në një deklaratë./ a.jor.