Rabdishti, si model i turizmit rural

TIRANË, 27 maj /ATSH/ Fshati Rabdishtit në Dibër, është kthyer në një destinacion të preferuar për vizitorët vendas dhe të huaj, jo vetëm për bukuritë natyrore, por edhe për agroturizmet e reja që po shtojnë ofertën turistike të zonës.
Rabdishti është një nga fshatrat ku institucionet e linjës në bashkëpunim me donatorët, po punojnë për ndërtimin e një modeli turizmi rural të bazuar te komuniteti.
Fundjavën e kaluar, familjet në fshatin Rabdisht mirëpritën grupin e vizitorëve nga Tirana, njëherazi specialistë të sektorit rural dhe turizmit, ku diskutuan mbi agroturizmin dhe zgjerimin e ofertës turistike në këtë zonë.
Në kuadër të eventit “Tregime Fshati”, u promovuan paketat turistike që fshati ofron, si: turi i shtëpive pritëse, përvoja në fermë, tre shtigje të reja, dhe ballkoni panoramik, ndër të tjera. Ndërsa tryeza e dialogut mes aktorëve lokalë diskutoi edhe hapat e ardhshëm në zhvillimin e turizmit në zonë.
Mbrëmja u përmbyll me kinemanë verore, vendosur në oborrin e një shtëpie tradicionale pritëse, si një kujtim i veçantë për gjithë komunitetin.
Pesë familje hapën për herë të parë dyert e shtëpive të tyre për të ofruar një përvojë autentike fshati.
Sot, Rabdishti ka gati 20 dhoma për këdo që dëshiron të kalojë një fundjavë ndryshe në fshat.
Fshati Rabdisht është një nga 100 fshatrat turistikë në Shqipëri. I ndodhur në një peizazh malor, i ndërtuar më shtëpi tradicionale me gurë, çatitë prej rrase guri, si dhe rrugët me kalldrëm i japin pamje të veçantë dhe unike duke u njohur “fshati i gurtë”.
Rabdishti shtrihet në majën e Luginës së Shërimit e cila ka marrë emrin e saj nga vetitë kuruese të burimeve termale të Peshkopisë dhe nga pjesa malore të kullotës së bjeshkës së Rabdishtit dhe malit me të njëjtin emër të vargmalit Deshat-Korab.
Vizitorët e shumtë që frekuentojnë këtë fshat pëlqejnë jetën tipike të fshatit, bujtinat tradicionale në Rabdisht, ku mikpritja dhe gatimet tradicionale shijohen si askund në rajonin e Dibrës. /j.p/
1 nga 17