E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: 28 Nëntori u kremtua me një mbrëmje të veçantë Kuqezi, bashkë me Presidenten Osmani

Kryeministri Edi Rama ka ndarë një mesazh dhe foto në rrjetet sociale për Mbrëmjen Tradicionale Kuqezi të Ditës së Pavarësisë, e zhvilluar sonte në Pallatin e Brigadave.

Aktiviteti u mbajt nën kujdesin e Presidentit të Republikës Bajram Begaj dhe u shënua nga prania e personaliteteve të politikës, përfaqësuesve të institucioneve, trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, si dhe Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

Ngjarja është një nga ceremonitë kryesore që shënojnë festimet e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit dhe 113-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Pritja e përvitshme në Pallatin e Brigadave u zhvillua në një atmosferë solemne, duke përkujtuar sakrificat e brezave që themeluan shtetin shqiptar dhe duke sjellë së bashku figura të larta të politikës dhe diplomacisë.

Në mesazhin e tij, Rama e cilësoi ceremoninë si një ndër më të veçantat të organizuara ndonjëherë për këtë festë kombëtare.

“Mbrëmja Tradicionale Kuqezi e Ditës së Pavarësisë, organizuar sonte bukur si asnjëherë nën kujdesin e Presidentit të Republikës, me praninë kuptimplotë të Presidentes së Kosovës,” shkroi ai, duke e shoqëruar postimin me imazhe nga ceremonia.

  • /rtsh.al/

    Më shumë nga Aktualitet

    Të gjitha ›