E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Afro 100 aplikime për “Paketën e Maleve” në zonat e Njësisë 12

TIRANË, 4 prill /ATSH/ Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi sot se, ngritja e agro-turizmave sjell përfitim për komunitetin dhe zhvillim ekonomik

Në fjalën e tij në Asamblenë e Partisë Socialiste në Njësinë 12 në Tiranë, që përfshin zonat Dajt, Shëngjergj, Zallbastar, Petrelë dhe Baldushk, Rama u shpreh se, në këtë zonë për Paketën e Maleve janë paraqitur afro 100 aplikime.

“Kjo është diçka që i intereson jo thjesht 100 individëve apo familjeve të tyre që duan të investojnë në programin e ri, por ka interes për të gjithë komunitetin,” tha Rama.

Ai shtoi se investimet e mundshme në agroturizëm dhe bujtina do të krijojnë vende pune për banorët e zonës dhe do të nxiten aktivitetet ekonomike lokale.

“Po jo vetëm do të punësohen njerëz nga kjo zonë, por aty krijohet më shumë ekonomi, sepse agroturizmi është i lidhur me prodhimin e zonës,” u shpreh Kryeministri.

Rama theksoi rëndësinë e komunikimit dhe diskutimit të ideve brenda partisë.

“Nëse ne nuk do ta diskutojmë këtë me njëri-tjetrin, nuk do të arrijmë të shfrytëzojmë potencialin e plotë. Për këtë arsye kemi bërë këtë ndarje të re organizative të partisë në blloqe më të vogla, për të pasur më shumë kapacitet komunikimi”, tha kryeministri.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›