E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Agroturizmi “Te Agai” në Gjinar, sjell mikpritjen shqiptare dhe bukuritë që të fal natyra

TIRANË, 29 qershor /ATSH/ Në Gjinar të Elbasanit, pranë malit të Bukanikut, aty ku natyra dhe ajri i pastër janë pjesë e përditshmërisë së banorëve të zonës, agroturizmi “Te Agai” është kthyer në një atraksion për vendasit, por edhe për turistët e huaj.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje të këtij investimi, ndërsa tha se “1270 metra mbi nivelin e detit, në një nga zonat më piktoreske të Gjinarit, agroturizmi “Te AGAI” sjell së bashku gatimet tradicionale të Elbasanit, mikpritjen shqiptare dhe bukuritë që të fal natyra”.

Agroturizmi “Te Agai” është një “udhëtim” që filloi me një ide të thjeshtë, ndarjen e bukurisë së jetës malore shqiptare me të tjerët. Ajri i pastër, ushqimet e gatuara në shtëpi dhe traditat shqiptare, kjo mënyrë jetese e poseduesve të kësaj hapësire u kthye në një sipërmarrje të mirëfilltë që ka marrë vëmendjen e pushuesve vendas, por edhe ata të huaj.

Agroturizmi “Te Agai” është një investim që është kryer në tokën e familjarëve, për t’u kthyer në një destinacion ku lidhja mes natyrës, kulturës dhe kulinarisë bëhet absolute, në mes të maleve në Gjinar të Elbasanit.

Përmes mikpritjes, ushqimit tradicional dhe aktiviteteve tërheqëse në natyrë, te agroturizëm “Te Agai” krijohet një hapësirë ​​ku mysafirët mund të ndihen si në shtëpi, të zbulojnë diçka të re dhe të largohen me kujtime të paharrueshme.

Qeveria, përmes Skemës Kombëtare të Investimeve, me 50% grant dhe mbështetjes nga Kredia e Butë të kombinuar me Garancinë Sovrane, mund të përfitoni financim me normë interesi vetëm 2% dhe mbulim kolateral deri në 70%, ndërsa për zonat malore mbështetja është edhe më e madhe falë Paketës së Maleve.

/e.i/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›