E Premte, 6 Nëntor 2026

Rama: Anëtarësimi në BE, mundësi unikale që s’mund të vihet në pikëpyetje për mustaqet e asnjë 'Çeloje' - ATSH -

TIRANË, 5 nëntor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi se udhërrëfyesi orientues i paraqitur nga Komisioni Europian për procesin e anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian përcakton qartë etapat dhe objektivat që vendi duhet të përmbushë gjatë vitit të ardhshëm, duke e cilësuar këtë proces si një mundësi historike që nuk duhet humbur.

Në një konferencë për mediet nga Kryeministria, së bashku me ambasadoren e Bashkimit Europian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, pas dorëzimit të Raportit të Progresit për Shqipërinë, Rama u ndal te rëndësia e udhërrëfyesit orientues të Komisionit Europian për vendet më të avancuara në procesin e negociatave.

Kryeministri theksoi se ky dokument përfshin katër vende, Malin e Zi, Shqipërinë, Ukrainën dhe Moldavinë, duke përcaktuar për secilin prej tyre etapat dhe objektivat për vijimin e procesit të integrimit.

Sipas Ramës, “për Shqipërinë udhërrëfyesi përcakton qartë punën që duhet të bëhet gjatë vitit sfidues që ka përpara vendi, duke i dhënë procesit më shumë qartësi dhe parashikueshmëri”.

Ai nënvizoi se “Komisioni Europian e konsideron objektivin e Shqipërisë për përfundimin e negociatave të anëtarësimit deri në fund të vitit 2027 ambicioz, por të arritshëm. Dhe ky është një vlerësim tejet i rëndësishëm për Shqipërinë, i cili duhet kuptuar nga të gjithë me peshën dhe kushtëzimet e tij”.

Kryeministri sqaroi se udhërrëfyesi nuk përcakton një datë anëtarësimi në Bashkimin Europian dhe as nuk paracakton rezultatin e negociatave, por sipas tij, shërben si një orientim konkret për përmbushjen e objektivit kombëtar të integrimit.

“Udhërrëfyesi na e tregon konkretisht, centimetër për centimetër, kilometrin e fundit të rrugës për të përmbushur këtë objektiv kombëtar dhe historik”, deklaroi ai.

Në konteskt Rama nënvizoi se “kjo do të thotë që koha merr çdo ditë më shumë rëndësi dhe çdo ditë bëhet më e çmuar në raport me këtë objektiv. Këtë duhet ta kuptojnë mirë që të gjithë ata, që janë përfshirë në vijën e parë të këtij procesi, në radhë të parë parlamenti, qeveria, gjyqësori dhe, para të gjithëve, duhet ta kuptojë shumica jonë qeverisëse. Mundësia që kemi sot për të përmbyllur negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian është unikale, është historike dhe nuk është aty si një e dhënë e palëvizshme njëherë e përgjithmonë”, tha Rama.

Në përfundim, Rama deklaroi se do të angazhohet për të garantuar vijimin e procesit dhe për të mos lejuar që kjo mundësi të humbasë për shkak të pengesave të brendshme.

“Historia nuk do na e falë kurrë bjerrjen e kësaj mundësie për shkakun tonë, të shqiptarëve. Prandaj, bashkë me të gjithë ata që e duan pa kushte suksesin e Shqipërisë, unë do bëj çmosin tim që të ndodhë e kundërta e fatkeqësisë që i ka ndodhur këtij vendi, sa herë ka pasur mundësinë të ngjitet lart, dhe që askush dhe asgjë të mos e vërë në pikëpyetje këtë mundësi historike për mustaqet e asnjë çeloje”, përfundoi Rama.

/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›