E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama: Asnjë leje ndërtimi për 30 vite në territore ku vihet zjarr, do të rimbillen

TIRANË, 4 tetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama prezantoi sot kapitullin e ri të mbrojtjes civile nëpërmjet transformimit të Forcës zjarrfikëse dhe inovacionit.

Gjatë fjalës së tij kreu i qeverisë bëri një vlerësim për punonjësin e Policisë së Shtetit për punën e bërë për identifikimin e zjarrvënësve.

“Policia e Shtetit ka qenë në gjendje të identifikojë dhe arrestojë psikopatë dhe kriminelë që vënë zjarre. Besoj shumë që fakti që ky sezon solli kaq shumë përmirësim, edhe këtu kemi hapësirë për të rritur forcën goditëse të Policisë së Shtetit, kapacitetet për parandalim, duke bërë që sot një punë operative që sot në territor për të identifikuar personat potencialisht të rrezikshëm. Se këta që vënë zjarre si duket kanë karakteristika të veçanta si personalitete”, tha Rama.

Rama nënvizoi gjithashtu se në territoret ku vihet zjarr do të ndalohet çdo lloj leje ndërtimi për 30 vite dhe territori i djegur do të rimbillet.

“Kemi bërë një ndërhyrje ligjore shumë të rëndësishme që aty ku vihet zjarr do të ndalohet çdo lloj leje ndërtimi për 30 vjet. Nëse një territor i cili le ta themi “hap oreks” për të ndërtuar, digjet, për 30 vjet aty nuk do të jepet leje ndërtimi. Ta kenë të qartë të gjithë se djegia nuk të sjell në kushtet që të thuash se nuk ka pemë aty dhe dua të ndërtoj se është toka ime.

“Ai territor do të rimbillet, për këtë po punojmë me Ministrinë e Mbrojtjes për të sjellë dhe dronët mbjellës që janë një forcë e re e teknologjisë që ndihmojnë në ripërtëritjen e territoreve të djegura gjë për të cilën është përfshirë edhe Ministria e Mjedisit”, u shpreh Rama.

Të pranishëm në aktivitetin që u zhvillua Bazën Ajrore të Farkës ishte edhe ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, ministrja e Punëve të Brendshme Albana Koçiu dhe ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo.

/m.q//a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›