Rama: BE nuk negocion me qeverinë, por me Shqipërinë

Kryeministri Edi Rama në takimin e nivelit të lartë me praninë e ambasadorëve të akredituar në Shqipëri, për procesin e thellimit të reformave të mirëqeverisjes, sundimit të ligjit dhe antikorrupsionit, u shpreh se Bashkimi Evropian nuk negocion me qeverinë, por me Shqipërinë.
Ndaj, sipas kryeministrit, duhet të funksionojë me efikasitet të gjitha institucionet e vendit tonë.
Rama thekson se reformën në drejtësi e e garanton Partia Socialiste, por sipas kreut të qeverisë do të ishte shumë mirë nëse garantohej nga të gjitha partitë politike.
Rama: Që Shqipëria të anëtarësohet në BE, duhet të performojmë me të njëjtin efikasitet dhe me të njëjtën bindje të gjitha institucionet e Shqipërisë. Nga këto, 32 prej tyre, që lidhen me kapitullin e themelorëve, nuk kanë asnjë varësi nga qeveria. BE nuk negocion me qeverinë, por me Shqipërinë.
Qeveria ka pjesën e saj, pushteti gjyqësor ka pjesën e vet dhe të gjitha institucionet kanë përgjegjësitë e tyre. Nëse ne duam që masat që lidhen me shtetin e së drejtës, ku 59% e tyre i përkasin pushtetit gjyqësor, të realizohen me sukses nga Republika e Shqipërisë, duhet të koordinohemi. Vetëm kështu avancimi ynë drejt përfundimit të negociatave do të jetë uniform.
Nuk ka asnjë rëndësi nëse qeveria bën detyrat e veta dhe një pjesë tjetër nuk i përmbush detyrimet në mënyrën dhe kohën e duhur. Cili është vendi dhe institucioni që mund t’i mbledhë të gjithë përreth këtij misioni dhe që mund të sigurojë qytetarët se asnjë institucion nuk i tradhton ata për ta parë Shqipërinë anëtare të BE-së? Ky institucion është Kuvendi i Shqipërisë, i cili, për natyrën e vet kushtetuese, është i vetmi institucion që ka të drejtën t’i thërrasë të gjithë, t’u kërkojë hesap, të ngrejë probleme dhe të kërkojë llogari.
Ky është institucioni që mund të garantojë që procesi ka elementin llogaridhënës për të gjitha institucionet. Në këto masa, reformën në drejtësi e garanton Partia Socialiste, që është forca politike e shumicës votuese. Do të ishte mirë, në fakt, që këtë ta garantonin të gjitha forcat politike. Çdo prekje e reformës në drejtësi duhet të kalojë përmes BE-së dhe SHBA-së, ashtu siç ka funksionuar kur është bërë reforma në drejtësi dhe ashtu do të veprohet edhe në të ardhmen.
Nuk kemi një hapësirë politike të bashkuar, por kemi një fat shumë të madh që është fati i Shqipërisë. Ky fat quhet BE. Bashkimi Evropian është fati ynë më i madh, ku liritë individuale, rendi ligjor dhe institucionet demokratike janë të garantuara. Besoj shumë se puna e këtij Komisioni është themelore. Duhet ta transformojmë këtë institucion në një mekanizëm të përhershëm, për të bërë të mundur që të gjitha institucionet të performojnë në lartësinë e ambicies që kemi shpallur, Shqipëria anëtare e BE-së brenda vitit 2030.