E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Bashkitë të angazhohen më fort për rritjen e cilësisë së arsimit profesional

TIRANË, 17 janar/ATSH/ Kryeministri Edi Rama u kërkoi sot kryetarëve të bashkive të kenë qasje të re dhe një angazhim më të madh për arsimin profesional.

Në fjalën e tij në takimin me kryebashkiakët, kryeministri Rama kërkoi të rriten kapacitetet e arsimit profesional.

“Duhet të krijojmë kushte të shkëlqyera. Duhet të kemi shkolla të arsimit profesional me laboratorë kuptimplotë, jo klasa si ato që gjetëm dikur në arsimin professional ku elektriçistët e rinj e mësonin zanatin nga një mësues që vizatonte poçin në dërrasën e zezë. Duhet të jenë laboratorë të cilësisë së mirë”, vuri në dukje Rama.

Rama po ashtu kërkoi që konviktet e shkollave profesionale duhet të jenë hotele dinjitoze me kushte shumë të mira për të gjithë nxënësit që vijnë nga zona të thella, zona rurale familje me të ardhura të ulëta në mënyrë që në momentin e parë nga kushtet të ndjehet rëndësia dhe respekti shoqëror për formimin professional.

Kryeministri Rama u shpreh se janë bërë hapa përpara duke ftuar kryebashkiakët të sjellin propozime për nukle të formimit dhe arsimit professional në të gjithë territorin që mund të shkojë nga profesione që lidhen me natyrën e ekonomisë së territorit dhe deri tek formimi për teknologjinë.

Rama vuri në dukje se “duhet t’u japim mundësinë të gjithë fëmijëve në të gjithë territorin e Shqipërisë pavarësisht pozicionit gjeografik që të kenë një akses në formimin profesional dhe teknologjik”.

/k.s/j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›