Rama: Duart e regjimit të Teheranit janë në bulevard, dorëheqja nuk imponohet nga rruga - ATSH -

TIRANË, 5 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se në asnjë rast dorëheqja e një kryeministri të zgjedhur demokratikisht dhe në kontratë me popullin nuk imponohet nga rruga.
Në një konferencë për medie me ambasadoren e Bashkimit Europian në Tiranë, Sofia Moreira de Sousa, Rama u ndal te kërkesa e protestuesve për dorëheqjen e tij.
“Në rastin tim ka dhe një specifikë tjetër që është kilometri i fundit i negociatave. Është i ndarë në 1 000 metra dhe çdo metër është i ndarë në 100 cm dhe çdo centimetër do njeriun mbi kokë të fushës përkatëse, do të bësh detyrën përkatëse. Mbyllja e negociatave në fund të 2007-ës është objektiv ambicioz, por i arritshëm”, shtoi Rama.
Por ky objektiv ambicioz, sipas tij, arrihet duke u fokusuar centimetër për centimetër te ky objektiv dhe jo duke humbur mendjen mbas këngëve kërcënuese, molotovëve, gurëve dhe agjendave që s’kanë lidhje fare me këtë mision kombëtar.
Rama tha se edhe pse është e lehtë të bësh ironi me përfshirjen e aktorëve të huaj në protestat e organizuara në Shqipëri, përfshirja e aktorëve të huaj në protestën e qershorit dhe deri sot që flasim është reale.
“Nuk isha unë apo një përfaqësues i institucioneve tona, apo ishte një nga personalitetet e mirënjohur të Francës që foli për ndërhyrjet malinje në vende demokratike. Para pak ditësh tha shprehimisht që Shqipëria ka qenë pjesë e kësaj lufte hibride. Unë nuk kam thënë kurrë që protestat i organizoi Irani, por kam thënë që duart e regjimit kriminal të Teheranit janë atje në bulevard dhe janë me fakte”, shtoi Rama.
Duke folur për protestat, Rama tha se “detyra jonë është të adresojmë shkakun, por edhe të jemi të vetëdijshëm dhe të dëgjojmë njëri-tjetrin”.
“Duhet të kuptojmë njëri-tjetrin, të shohim faktet dhe të pranojmë reciprokisht kush ka dhe kush nuk ka të drejtë, në vend se të gëzohemi dhe të entuziazmohemi për viralitetin që u jep videove tona ndërhyrja e atyre që nuk e duan Shqipërinë këtu, nuk duan që Shqipëria të fokusohet këtu, nuk duan që 2027-a të mbyllet me sukses për Shqipërinë, nuk duan që ne të merremi me centimetrat dhe me metrat e kilometrit të fundit. Por duan që ne të merremi me historitë e panumërta që nxiten çdo ditë dhe pas të cilave rrotullohemi çdo ditë në një vorbull skandaloze”, shtoi Rama.
/r.e/a.f/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.