E Enjte, 5 Nëntor 2026

Rama: Fitorja jonë në 2025 përfundimtare edhe për opozitën, që duhet çliruar nga pengmarrësit

TIRANË, 24 nëntor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama kërkoi sot nga shqiptarët që jetojnë në Londër, që të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke theksuar se “fitorja jonë në zgjedhjet e ardhshme nuk do të jetë fitorja e radhës e një partie ndaj të tjerave, por duhet të jetë triumfi i një vizioni për botën, duhet të jetë triumfi i një kuptimi për vlerat njerëzore të respektit”.

“Nëse ju, shqiptarët e botës së lirë, do të merrni pjesë masivisht në zgjedhjet e ardhshme dhe do t’i shtoni peshën e vendimmarrjes suaj shumicës së shqiptarëve të Shqipërisë për Shqipërinë 2030 shtet europian në BE, atëherë po ju them se përballja e ardhshme elektorale nuk do të jetë vetëm vendimtare, por do të jetë përfundimtare, pa kthim të mundshëm mbrapa, për shtetbërjen dhe progresin, për drejtësinë dhe ekonominë”, tha Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se, “juve ju qëllon të jetoni në një lagje, në një pallat e njëri të jetë socialist e tjetri demokrat, por nuk e pengoni të shkojë në punë, as i suleni në fyt njeri-tjetrit, por i jepni dorën dhe e mbështesni. Kaq e pamundur është që këtë ta bëjë edhe Shqipëria që të çlirohet më në fund nga ky makth, qysh kur Ismail Qemali krijoi qeverinë e parë. Jo, nuk është aspak e pamundur, mjafton që shqiptarët që jetojnë me punë e rrisin me mund fëmijët, që duan për ta më të mirën nesër, ta përzënë djallin e ndasisë nga hapësira që i ndan shtëpitë e tyre dhe të përqafojnë atë alternativë që i bën krenarë”, tha Rama.

Rama u shpreh se, “fitorja jonë në zgjedhjet e ardhshme duhet të jetë jo një fitore vendimtare, por përfundimtare, edhe për opozitën që duhet çliruar nga pengmarrësit dhe pengmarrja për hallet e disa udhëheqësve të diskretituar nga historia. Votoni për të çliruar opozitën nga pengmarrësit dhe për t’u dhënë lirinë të gjithë atyre që nesër do të duhet t’i qëndrojnë ballë për ballë qeverisë, që të flasin pa qenë të tmerruar se çfarë kove me ujë do t’i bjerë nga ballkoni”, nënvizoi Rama.

“Po drejtësia dje çfarë ishte? Pazar. E drejta ishte mall, shitje, blije. Po pandëshkueshmëria e atyre me kostum dhe pistoletë, çfarë ishte deri dje? Një shpullë në sytë e të gjithë njerëzve të zakonshëm. Sot ai realitet është i përmbysur, sot Shqipëria pa dinjitet ndërkombëtar dhe pa respekt për drejtësinë dhe barazinë para ligjit i përket historisë”, tha Rama.

Më tej Rama u shpreh se, “atë që nuk kuptojnë ata “të verbër” që afrohen në dyert e takimeve tona dhe që marrin një nxitje për t’u ngritur dhe bërtitur është që Shqipëria sot nuk është e ndarë mes të majtës dhe të djathtës, mes socialistësh e demokratësh, në kuptimin e programit, ideve, alternativave apo skuadrave”.

“Shqipëria sot është e ndarë mes përpjekjes së mundimshme për të bërë më të mirën dhe për të përqafuar të ardhmen që e shohim me sy, nuk e imagjinojmë si një horizont, sepse Europa e bashkuar është aty disa vite pranë, dhe një të shkuare, e cila e persekuton shtetin shqiptar që nga dita e nesërme e krijimit të tij, që në 1912, dhe që mishërohet sot haptazi në shembëlltyrën e armiqve të betuar të drejtësisë dhe të shkatërruesve të paepur të çdo ure komunikimi, paqtimi, dialogu mes përfaqësuesve të popullit”, tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se, “cila është ajo e majtë apo e djathtë, cila është ajo ndjenjë socialiste, demokrate, antikomuniste, apo çfarë të doni, e cila justifikon shkeljen me të dyja këmbët të çdo kanuni, të çdo ligji të mësuar nga goja e gjyshërve dhe stërgjyshërve nën çatinë e shtëpive tona, të çdo sjellje që i ka bërë shqiptarët aq të dallueshëm, kur vjen fjala për të respektuar tjetrin, kur vjen fjala për të mos zënë vendin që i takon tjetrit, kur vjen fjala për të folur dhe për të lënë tjetrin të flasë”.

“Nuk ka as të djathtë, as të majtë, as përkatësi socialiste, antikomuniste, që justifikon harbutërinë, rrugaçërinë, që dhunën verbale dhe nxitjen e urrejtjes. Të gjitha këto bashkë nuk janë shqiptare, as e majtë, as e djathtë, të gjitha këto bashkë janë një hall i madh për shoqërinë tonë që jo si socialistë, demokratë, si të gjithë prindërit e këtij vendi që nuk kanë interesa politike të bëhen bashkë e ta shporrin këtë hall nga tryezat e tyre. Ta shporrin këtë hall nga hapësira ku edukohen fëmijët e tyre, nga korniza e televizioneve që janë bërë si frëngjitë e një çmendine nga ku përcillen vetëm valë negativiteti, urrejtjeje, ndasije, poshtërsie”, tha Rama. /k.s/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›