E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Inteligjenca artificiale, etapë e re në modernizimin e qeverisjes

TIRANË, 1 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në forumin europian të inovacionit dhe sipërmarrjes “Ruhr Summit”, në Gjermani ku prezantoi vizionin e Shqipërisë për transformimin digjital të qeverisjes dhe përdorimin e inteligjencës artificiale në shërbimet publike.

Në fjalën e tij, Rama u ndal te përfitimet e digjitalizimit të administratës, duke e cilësuar atë jo vetëm si një reformë teknologjike, por si një transformim të thellë demokratik.

“Ajo që ndodh kur qeveritë bëhen digjitale nuk është thjesht heqja e letrave, por eliminimi i mundësive për pushtet të padukshëm, i tarifave dhe favoreve të panevojshme. Është shumë e vështirë t’i japësh ryshfet një serveri”, u shpreh Rama.

Ai theksoi se digjitalizimi nuk ndryshon vetëm mënyrën se si funksionon shteti, por edhe mënyrën se si shpërndahet dhe ushtrohet pushteti brenda tij.

Sipas Kryeministrit, zhvillimi i inteligjencës artificiale ka hapur një etapë të re në modernizimin e qeverisjes, duke ngritur pyetjen nëse teknologjia mund të bëhet pjesë aktive e vetë procesit vendimmarrës në administratë.

“Kur teknologjia mund t’i ndihmojë njerëzit të lundrojnë në qeverisje, pse të mos bëhet vetë inteligjenca artificiale pjesë e saj?”, tha Rama.

Ai bëri të ditur se në këtë kuadër është krijuar edhe sistemi i inteligjencës artificiale i quajtur “Diella”, i konceptuar për të orientuar qytetarët në shërbimet publike dhe për të mbështetur administratën në procese të caktuara.

Rama shtoi se ky hap ka ngjallur reagime të ndryshme, por sipas tij përfaqëson një qasje të re në modernizimin e shtetit dhe forcimin e institucioneve.

Kryeministri theksoi se inteligjenca artificiale nuk synon të zëvendësojë nëpunësit publikë, por të shërbejë si një mjet ndihmës për forcimin e proceseve administrative, veçanërisht në fushën e prokurimit publik.

“Prokurimi publik është një nga fushat më të ndjeshme, ku kompleksiteti dhe diskrecioni kanë ndikuar shpesh në humbjen e besimit publik”, u shpreh ai.

Sipas Ramës, integrimi i inteligjencës artificiale në këtë proces synon rritjen e transparencës dhe reduktimin e hapësirave për abuzim, duke forcuar institucionet dhe vendimmarrjen administrative.

“Ëndrra ime është ta finalizojmë këtë model dhe më pas t’ia shesim Gjermanisë”, përfundoi Kryeministri Rama.

/gj.m/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›