E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Investimet në Sazan dhe Zvërnec nuk cenojnë zonat e mbrojtura

TIRANË, 11 shtator/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama sqaroi sot se “Sazani nuk është zonë e mbrojtur, ndërsa Zvërneci është peizazh i mbrojtur, është kategoria pesë”.

Rama sqaroi se sipas standardeve europiane të mbrojtjes, peizazhi i mbrojtur mund të jetë dhe një zonë e banuar.

Në një intervistë në “Flasim shqip”, Rama theksoi se “nuk jemi duke cenuar asgjë, përkundrazi investimi është i mirë edhe për lagunën, pasi sot është një nga pikat më të ndotura të Shqipërisë”.

“Kur bëmë ligjin me zona të mbrojtura, ne rritëm territorin e mbrojtur të Shqipërisë. Nuk e zvogëluam dhe vazhdojmë ta shtojmë. Nuk e zvogëlojmë, por nuk bëmë kategorizimet e zonave. Thethi është zonë e mbrojtur, por në Theth ka jetë, në Theth ka njerëz që banojnë”, shtoi Rama.

Duke folur për zonat e mbrojtura, Rama sqaroi se zona Vjosë-Nartë nuk është zonë e mbrojtur. “Zona Pishporo-Nartë ka qenë denbabaden peizazh i mbrojtur. Nuk ka qenë zonë e mbrojtur. Vjosë-Narta ka statusin e paprekshmërisë. Pishporo-Narta ka pasur statusin e peizazhit të mbrojtur dhe në Pishporo-Nartë janë dhënë leje ndërtimi në kohën e mëparshme për pallate. Nuk janë ndërtuar, sepse i kemi bllokuar ne”, shtoi Rama.

Ndërkohë Rama theksoi se edhe Kushner, në momentin kur ka nisur ky proces, ka kërkuar që çdo gjë të bëhet sipas ligjit dhe rregullave.

/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›