E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Kemi investuar 250 milionë euro dekadën e fundit për evitimin e përmbytjeve

TIRANË, 9 janar/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se gjatë dekadës së fundit janë investuar 250 milionë euro në infrastrukturën e kullimit dhe forcimit të argjinaturave.

Në mbledhjen e Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile, kryeministri u ndal te investimet e kryera si dhe për transformimin e Emergjencave Civile.

“E gjithë kjo infrastrukturë ka funksionuar dhe ka përballuar sasitë e reshjeve sipas niveleve të sigurisë për të cilat janë projektuar, përtej të cilave është rasti i reshjeve tejet anormale të këtyre ditëve. Përmbytja e disa zona më vulnerabël për arsye tejet objektive është e pashmangshme në cilindo vend të planetit”, tha Rama.

Kryeministri bëri të ditur se prej vitesh tanimë kemi një proces mirëmbajtje të infrastrukturës së kullimit.

“Përveç remontit të plotë të 27 hidrovoreve gjatë sezonit të verës largohen çdo vit rreth 2.5 milionë m3 kub llumra dhe mbetje nga kanalet kryesore kulluese me një gjatësi rreth 300 km”, tha Rama.

Vetëm vitin e shkuar, sipas tij, janë investuar për këtë infrastrukturë të kullimit afër 25 milionë euro.

“Ndërkohë që këtë vit vetëm nga bashkitë do të investohen 11 milionë euro, apo 8% më shumë se në vitin e shkuar”, shtoi kryeministri.

Kreu i qeverisë theksoi se investimet prej afro 250 milionë euro në dekadën e fundit kanë rindërtuar 536 kanale ujitëse dhe kullimi që ishin faktikisht thuajse të përgjysmuara.

“Këto investime kanë përforcuar masivisht argjinaturat që binin nga të katër anët; kanë futur në punë 12 hidrovore që kishin reshtur së punuari prej vitesh; kanë rritur sigurinë e 44 digave dhe kanë shtuar ndjeshëm flotën e eskavatorëve edh enë nivelin vendor”, tha Rama.

Përtej këtyre investimeve, Kryeministri konsideroi investimin më madhor atë në transformimin e emergjencave civile.

“Nga trupa pa kokë në koordinim, pa bazë materiale dhe të veshur si mos më keq janë transformuar në trupa që vihen në lëvizje kur paralajmërohet furtuna. Ka mësime për të nxjerrë dhe boshllëqe për t’u mbushur por nëse reshjet e pazakonta ranë dhe përmbytën njësoj vende të rajonit tonë Shqipëria nuk reagoi njësoj si dikur kur edhe një shi i zakonshëm bënte ujë dynjanë”, shtoi Rama.

/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›