E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Kompanitë me mbi 100 punonjës do të kenë departament inovacioni

TIRANË, 28 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm sot në Qendrën për Inovacion dhe Teknologji “NEST”, një strukturë e Fondit Shqiptar të Zhvillimit që u shërben edhe universiteteve dhe sipërmarrjes, nga ku u prezantua edhe një start up i disa të rinjve shqiptarë për financimin e sektorit të ndërtimit.

Në fjalën e tij Rama theksoi sërish se kantieret e ndërtimit do të kenë kamera dhe do të monitorohen 24 orë në 24.

“Ne do ta vendosim si kusht që kantieret e ndërtimit do të kenë kamera dhe do të monitorohen 24 orë në 24. Kjo gjë pa diskutim do t’ju vlejë edhe juve në ndjekjen e punëve dhe në praktikën tuaj, por është shumë e vlefshme për të gjitha aspektet që lidhen me sigurinë dhe garantimin e projektit dhe diku në një nga mjediset këtu do të shikoni që përmes një programi monitorimi me inteligjencën artificiale mund të ndiqet kantieri nga lart dhe mund të shikohet dhe korrektësia e punës në raport me projektin, jo thjesht në perimetër”, tha Rama.

Kreu i qeverisë nënvizoi se gjithashtu po “përfundon edhe Qendra e Monitorimit me dronë të integruar që së bashku me satelitët do të na japë mundësi të ndjekim në kohë reale të gjitha zhvillimet në territor”.

Rama tha se do të vendoset që kompanitë me mbi 100 punonjës të kenë një departament të inovacionit, që merret me të gjithë pjesën e teknologjisë. Kjo, sipas Ramës, do të përgatisë bizneset për integrimin në BE.

“Do t’ju sugjeroja që të shikoni pak disa gjëra që bëhen në këtë godinë për të pasur një sasi të nevojës që kompanitë tuaja, përgjithësisht këtu janë kompani të mëdha, të angazhojnë edhe një ekip për kërkimin dhe inovacionin. Është i domosdoshëm. Duket sikur është një para e hedhur kot, por është para e hedhur më plot se çdo gjë tjetër dhe ne do ta vendosim për të gjitha kompanitë që kanë mbi 100 punonjës, do ta vendosim që të jetë e detyrueshme, që të kenë një departament të inovacionit që të merret me gjithë pjesën e teknologjisë dhe do t’i bëjë shërbimin më të mirë çdo kompanie dhe do të na përgatisë për atë që na pret në aspektin e biznesit privat në momentin që të anëtarësohemi në BE, ku do t’ju sugjeroja të informoheni sa më shumë se çfarë do të ndodhë.

“Do të jetë një sfidë shemë e madhe për kompanitë tona që t’i mbijetojën atij tregu, jo e pamundur, por e vështirë. Sa më shumë të përgatitemi sot, aq më të lehtë do ta kemi kur të bëhemi pjesë e komunitetit evropian dhe në aspektin e biznesit”, tha Rama.

/m.q/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›