Rama: Kosova ka kryeministrin dhe institucionet e veta, nuk bëj “babanë” e askujt

TIRANË, 11 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, zhvilloi një bashkëbisedim me të rinj në kuadër të aktivitetit “RinCamp 2026”, që po mbahet në Jalë.
Teksa iu përgjigj një pyetjeje nga një studente nga Shkupi lidhur me marrëdhëniet e Shqipërisë me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, Rama tha se Shqipëria duhet të respektojë pavarësinë institucionale dhe të mos ndërhyjë në vendimmarrjen e saj politike.
“Unë qysh në krye të herës e kam pasur vijën time të kuqe. Unë nuk bëj “babën” e askujt që ka shtëpinë e vet. Kosova ka kryeministrin e vet, ka institucionet e veta dhe ka pasur një kohë përpara sesa unë të bëhesha kryeministër kur nga Tirana i tregohej Kosovës se çfarë duhej me bë, edhe i shkohej, i shkohej në Shkup në Tetovë dhe i tregoi prej atyre atje se çfarë duhet me bë. Kanë qenë vite shumë brutale për nga vulgariteti i politikës së jashtme në tërësi dhe politikës rajonale në veçanti, brutalisht, injorancë që ka sjellë vetëm dëme”, tha Rama.
Rama u shpreh se marrëdhëniet me kryeministrin Albin Kurti janë të mira, por theksoi se secili vend ka institucionet dhe politikat e veta.
“Për sa i përket Kosovës, Kosova është shtet tjetër. Kosova nuk është një krahinë e Shqipërisë në kuptimin, nuk varet nga Shqipëria, është një shtet tjetër, ka institucionet e veta. Kështu që unë, Albinin, gjithmonë e kam thënë, e takoj me shumë kënaqësi, se na ecën muhabeti shumë mirë kur takohemi edhe bëjmë shumë humor me njëri-tjetrin. Po të kishte një kamera të shifte kur unë takohem me Albinin do habitej gjithë dynjaja, por nuk jemi në kushtet që unë t’i them: “hajde këtu, ti”, ai, jo e jo kështu që kemi një respekt reciprok. Por secili ka shtetin e vetë, qeverinë e vetë, mendjen e vetë. Fatmirësisht qëllimet i kemi të përbashkëta, metodat i kemi të ndryshme, jemi dy njerëz të ndryshëm edhe s’ka problem”, tha Rama.
/m.q/j.p