E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Momenti për të blerë prona në Dibër, për 5 vite do të ketë çmimet e Tiranës

TIRANË, 17 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherazi kryetar i PS-së, deklaroi sot se ndërtimi i Rrugës së Arbrit e ka shndërruar Dibrën në “jastëkun e gjelbër”, të kryeqytetit, duke bërë që distanca nga Dibra në Tiranë të jetë thuajse e njëjtë me atë Durrës-Tiranë.

“Shikojeni sot Dibrën. Dibra sot ka një frymëmarrje tjetër, e ndjen sapo hyn, sepse Dibra sot është çliruar. I ka ikur “laku nga fyti” që e mbyste dhe e mbante si të zgjedhur nga trupi i vendit. Dibra sot, është bërë “jastëku i gjelbër” i kryeqytetit”, theksoi ai.

Sot, vijoi Rama, për të shkuar nga Tirana në Durrës dhe për të ardhur nga Tirana në Dibër, është pak a shumë e njëjta kohë.

“Nga ana tjetër, unë e di shumë mirë, dhe këtë e kam me vajzat dhe gratë e Peshkopisë: detyra ime mbaron kur të hapet rruga Maqellarë–Peshkopi”, tha Rama.

Edhe pak ditë, informoi ai, dhe do të jetë gati edhe rruga Peshkopi-Maqellarë, që lidh Peshkopinë me Rrugën e Arbrit.

Nga ana tjetër, theksoi ai, po punohet në aksin Peshkopi-Librazhd, duke bërë që qytetarët e kësaj zone të mund të dalin edhe në Pogradec e më tej.

Ndërkohë, shtoi Rama, po punohet edhe për lidhjen e Burrelit me Rrëshenin dhe shumë shpejt do të mbyllet edhe rruga e Lurës.

Rama deklaroi se përmirësimi i infrastrukturës dhe lidhja me Tiranën do të bëjnë që vlera e pasurive të paluajtshme të kësaj zone të njohë rritje të madhe, ndërsa u bëri thirrje emigrantëve të kësaj zone të investojnë kursimet e tyre në tokat e tyre.

“Edhe 5 vite kohë kanë dibranët për të blerë prona në Dibër. Pas 5 vitesh ky vend këtu, do të ketë çmimet e Tiranës, sepse ky vend do të jetë një zone e gjelbër e Tiranës. Koha që dibranët që janë jashtë vendit të investojnë kursimet e tyre në Dibër, Bulqizë, Klos e Mat”, deklaroi Rama. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›