E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Në çdo cep të Shqipërisë mundësi për agroturizëm me “Paketën e Maleve”

TIRANË, 31 mars/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, përsëriti sot se asnjë kryetar bashkie nuk do të rikandidojë në zgjedhjet e ardhshme vendore nëse nuk i hap rrugën 10 zhvillimeve me “Paketën e Maleve”.

Në mbledhjen e Asamblesë së PS-së në njësinë 7 në kryeqytet, Rama e konsideroi “Paketën e Maleve” një hap shumë të rëndësishëm për të nxitur ata që duan të kthehen nga emigracioni që të investojnë kursimet e tyre në agroturizëm.

Rama theksoi se “Paketa e Maleve” është ekzaktësisht për ata që kanë realisht një tokë të trashëguar dhe që në shumë raste nuk kanë titujt e pronësisë.

“Me ‘Paketën e Maleve’ kemi pasur shumë aplikime dhe do të vazhdojmë. Në çdo cep të Shqipërisë ka mundësi të bëhet një agroturizëm. Agroturizmi është rruga për të krijuar mirëqenie edhe në zonën më të humbur, pasi krijon mundësi që vizitori dhe turisti të shkojë atje”, tha Rama.

Kryeministri kujtoi se të gjitha agroturizmet që janë krijuar nuk ekzistonin përpara se të vinte PS në detyrë.

“Të dhënat flasin se po fillon të kthehet trendi mes ikjeve dhe kthimeve. Nuk jemi në kushtet kur kemi më shumë kthime sesa ikje, por ama po kthehet. Berati ka më shumë kthime se ikje dhe është rezultat i ekonomisë së turizmit në Berat, si dhe i zhvillimit të bujqësisë atje”, shtoi Rama.

Po ashtu, Kryeministri informoi se po krijohen programe të veçanta për të rritur ndërmarrjet.

“Janë krijuar shumë ndërmarrje të vogla që kanë kapacitete për t’u rritur, por kanë nevojë për financim. Ne do të dalim për pak kohë me programin ‘Dyfisho ndërmarrjen’ që do të thotë të vëmë në dispozicion instrumente financiarë dhe kredi të garantuara nga shteti”, tha Rama.

/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›