Rama: Nisim punë për zgjedhjet e vitit të ardhshëm, ristrukturim në Tiranë

TIRANË, 28 mars /ATSH/ Partia Socialiste e Tiranës nis procesin e riorganizimit dhe rienergjizimit të strukturave të saj në kryeqytet. Në kuadër të këtij procesi, u zhvillua sot mbledhja e Asamblesë së Njësisë Administrative nr. 2 në Tiranë dhe prezantimi i ekipit drejtues për këtë njësi.
Kryetari i Partisë Socialiste, Kryeministri Edi Rama ka qenë i pranishëm në takim ku ka folur për rienergjizimin e PS, intensifikimin e komunikimit me qytetarët për punët e kryera dhe ato që priten, për pagat, pensionet, ekonominë dhe masat që po merren nga Qeveria në përgjigje të krizës së çmimit të naftës shkaktuar nga konflikti në Iran.
Në këtë Asamble drejtuesja politike e Tiranës Ogerta Manastirliu prezantoi ekipin drejtues të socialistëve në Njësinë 2, që përbëhet nga Delina Ibrahimaj, Genti Gazheli, Olta Manjani dhe si përforcim nga drejtuesit e qarqeve, Sekretarin e Përgjithshëm të PS, Blendi Klosi.
PS Tiranë do të vazhdojë intensivisht mbledhjen e Asambleve të Njësive dhe prezantimin e ekipeve drejtuese në të gjitha njësitë e Tiranës.
Gjatë fjalës së tij, Rama vuri në dukje se ka nisur puna në funksion të zgjedhjeve vendore të vitit të ardhshëm.
“Duke qenë se ne kemi rinisur punën në funksion të zgjedhjeve të vitit të ardhshëm dhe, siç e dini ju gjithmonë, ne fitoret tona i projektojmë edhe i përgatisim duke marrë kohë edhe shumë më parë se të tjerët, ne kemi parë nevojën që të bëjmë një ristrukturim të punës në bashkinë e Tiranës”, tha ai.
Po të shikojmë se si janë rritur disa qarqe, theksoi Rama, është shumë e qartë që organizimi është A-ja.
/r.e/