Rama: Nuk mund të lëmë të na rrëshqasin mundësitë në turizëm si ndodhte dikur

TIRANË, 7 qershor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama u ndal sot gjatë fjalës së mbajtur në aktivitetin e 35-vjetorit të themelimit të Partisë Socialiste në Elbasan tek projekti turistik i realizuar në Tivat të Malit të Zi duke theksuar se ai projekt mund të ishte realizuar në vendin tonë duke i ndryshuar faqen turizmit.
“Mali i Zi nuk do të ishte ky që është sot, nëse projekti që hapi rrugën e transformimit të Malit të Zi do të ishte bërë këtu. Nëse ai projekt do të ishte bërë këtu, aty ku trokiti në fillim ai sipërmarrësi kanadez dhe iku në Mal të Zi se këtu i mbyllën derën, atëherë Mali i Zi nuk do të ishte ai që u bë, por do të ishim ne që do të kishim vendin e parë në rajon për paga, pensione, vetëm falë asaj pjese të turizmit”, theksoi Rama.
Ai ktheu përgjigje edhe ndaj atyre që thonë se vendit nuk i dihet turizmi elitar.
“Ata që thonë që nuk duhet turizmi i luksit se nuk kemi lekë, ata nuk e dinë se në fakt ato resorte dhe ato hotele janë motorë të ekonomisë së tyre, të ekonomisë së vendit dhe të njerëzve që jetojnë në atë vend. Ato resorte dhe hotele nuk janë të shkëputura nga realiteti i vendit. Ata njerëz që vijnë aty kanë nevojë për vendin, kanë nevojë për shërbimet që ka vendi dhe kështu ata janë arsyeja pse fermerët mund të prodhojnë më shumë dhe të shesin më mirë”, deklaroi Rama.
Po ashtu, sipas tij, ato resorte dhe hotele janë arsyeja pse shteti merr më shumë taksa, më shumë të ardhura.
Duke iu referuar “Porto Montenegro”-s që shkoi në Tivat, ndërkohë që sipërmarrësi donte ta ndërtonte në Durrës, Rama tha se u vendos në një zonë që s’kishte turizëm në Mal të Zi.
“Porti ishte ushtarak, të ardhura të ulëta, rinia që ikte… Sot, Tivati pret 5 milionë turistë në vit, vetëm për shkak të atij porti dhe atyre që erdhën më pas. Në dyqanet e Tivatit janë ata që janë prej atij vendi, shërbimet i bëjnë ata që vijnë nga ai vend. Për të gjithë të rinjtë dhe të rejat e Malit të Zi, në punët e atij hoteli ku ishim ne, ka një vend pune cilësor, një vend pune që nuk ka asnjë arsye për ta lënë dhe për të kërkuar fatin jashtë vendit. Ne çfarë jemi? Jemi budallenj që të shohim se si të tjerët i marrin mundësitë që ne i lejojmë të na rrëshqasin?”, tha Rama.