Rama: Objektivi i vetëm është BE, Shqipëria do të jetë “Italia e re” në të ardhmen

Antarësimi në Bashkimin Europian mbetet objektivi kryesor për Shqipërinë, u shpreh kryeministri Edi Rama gjatë një interviste ballë për ballë me producentin Richard Attias, një prej organizatorëve të Forumit Ndërkombëtar FII (Future Investment Initiative) që u zhvillua në Tiranë një javë më pare.
“Tri gjërat kryesore për ne janë BE-ja, BE-ja, BE-ja. Dritarja e mundësisë është hapur. Është shumë e trishtë që na duhej Putini, që kjo dritare mundësie të hapej, sepse ishte agresioni i tij kundër Ukrainës që i zgjoi të gjithë nga gjumi dhe e ktheu në veprim mesazhin përherë shumë të qartë, por vetëm me fjalë, se një ditë, Europa do të jetë e bashkuar. Unë shpresoj që edhe zgjedhja e Donald Trump-it do ta shtyjë Europën të kthejë në veprime gjërat e duhura. Nëse ne ia dalim, atëherë katër mandatet do t’ia kenë vlejtur”, tha Rama.
Një “Itali të re” e shikon kreu u qeverisë të ardhmen e Shqipërisë.
“Para së gjithash, u tremba pak kur thatë “Zvicra e re”, sepse, nga njëra anë, ne mendoj nuk arrijmë dot të bëhemi të përsosur si një orë zvicerane dhe nga ana tjetër, po të bëheshim të tillë, atëherë Shqipëria do të ishte tmerrësisht e mërzitshme. Unë do preferoja një “Itali e re”, ku gjen mundësi, ku gjen kënaqësinë e mikpritjes, të ushqimit, por ku nuk e humbet buzëqeshjen”, tha kryeministri.
Rama anlizoi edhe problemet e Bashkimit Europian.
“Një nga problemet që shoh te BE-ja vështirësia e daljes me një vendim, pasi ka shumë mjekë për një pacient, që hahen me njëri-tjetrin për të gjetur diagnozën, hahen se cili është mjekimi i duhur dhe, në një farë mënyre, BE-ja po vuan nga ky proces demokratik, por, nga ana tjetër, i duhet padyshim ta ruajë demokracinë. Sidoqoftë, thelbi i kësaj është që BE-ja duhet të mendojë se mënyra e vetme për t’iu bërë ballë fuqive që po dalin në pah dhe këtij rendi të ri që po lind është të bëjë të pamendueshmen për të thyer fuqishëm paragjykimet që janë krijuar”, tha shefi i qeverisë shqiptare.
Në mbyllje, kryesocialisti ka komentuar rizgjedhjen e tij në krye të qeverisë me 83 mandate, duke u shprehur se fitorja mund të jetë si pasojë e të qenurit një socialist i mirë./vizionplus.tv