Rama: Paqe fiskale me biznesin, pagesë sipas një përllogaritjeje paraprake

TIRANË, 10 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha sot gjatë një diskutimi për sezonin veror me turoperatorë, hotelierë dhe profesionistë të turizmit në Durrës se formalizimi i sektorit të turizmit, se po mendohet një paqe fiskale mes qeverisë dhe sipërmarrësve në fushën e turizmit, sa i takon deklarimeve për netqëndrimet në pikun e sezonit veror, por edhe jashtë tij.
Sipas Kryeministrit, ka qenë kërkesa e kahershme e sipërmarrësve ulja e TVSH-së në 8%, ndërkohë që është 6%, me pretendimin sipas tij, që ky sektor do të formatizohej. “E bëmë 6%, është më e ulëta në Evropë, në rajon dhe patjetër që solli më shumë të ardhura për ju, por sikur nuk solli dhe aq shumë të ardhura për shtetin.
Duhet pasur parasysh që ne nuk është se kemi qenë të pavetëdijshëm për këtë, por siç kemi bërë edhe për ARNB, që masivisht janë vënë në funksion. Si rriten me 56% netqëndrimet në Shqipëri, dhe ku flenë këta njerëz? Ne e dimë që Tirana është e mbushur me ARBN, janë të ardhura që nuk deklarohen asgjëkund, Durrësi po ashtu, Vlora është e mbushur me ARBN, por për momentin ne e kemi lënë me vetëdije që njerëzit të akumulojnë të ardhura në këtë fazë dhe në ndërkohë hoteleria të rritet dhe të forcohet, se nuk jemi ne në kushtet që e përballojmë dot me hoteleri gjithë kërkesën”, tha Rama.
“Por, sistemi i ri i e-Visitors, sistemi digjital do të futet në funksion se i erdhi koha, nuk e vendosnim dot përpara se do mbysnim edhe pesë veta që punonin në mënyrë të padrejtë, por tani i erdhi koha dhe do të duhet ta bëjmë dhe do ta bëjmë. Si edhe ajo marrëveshja që ne kemi propozuar është një marrëveshje e hapur, që të paguajë një kontribut fiks bazuar mbi përqindjet e pikut dhe mbi përqindjet e dimrit. Kush e merr, shpëton nga çdo lloj inspektimi dhe stresi, jo erdhi inspektori, jo vajti te dhoma, jo ishte turistja duke krehur flokët, jo i ra derës, jo ajo mendoi se erdhën ta rrëmbejnë etj.”, pohoi Kryeministri.
Nga ana tjetër, kreu i qeverisë u ndal edhe te pagesa e tatimfitimit për biznesin e madh me xhiro mbi 140 mijë euro në vit, për të cilin, u shpreh ai, ka një propozim për një paqe fiskale që biznesi të paguajë në bazë të një përllogaritjeje paraprake të xhiros së vitit të kaluar me rritjen ekonomike të këtij viti.
Në fjalën e tij, Rama foli edhe për lehtësimin e barrës fiskale për bizneset, duke iu referuar paqes fiskale. Sipas Ramës, kompanitë do të kenë mundësinë të hyjnë në një marrëveshje me autoritetet fiskale për të paguar një tatim të përcaktuar prej 15% mbi fitimin, pa mundësi rritje në vitet e ardhshme. Sipas Ramës për çdo fitim shtesë që biznesi do të deklarojë mbi atë normë, do të tatohet vetëm 5%.
“Do të vazhdojmë fuqimisht investimet në Durrës, sepse Durrësi ka marrë mjaftueshëm investime në këto vite të kombinuara nga buxheti, bashkia dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Kur flisni për bajpasin e Golemit mos harroni që Korridori Blu që do të ndërtohet dhe do ta anashkalojë këtë zonë se do të lidhë direkt Thumanë-Kashar-Rrogozhinën, do bëjë që këtu të vijë vetëm fluksi që është për në Durrës. Kush shkon për Fier, Vlorë e tutje do dalë nga Rrogozhina, dhe kjo do ta lehtësojë shumë ngarkesën mbi zonën. Ndërkohë që ju do ta keni më të thjeshtë kur doni të shkoni më poshtë, të përdorni aksin këtu nga Rrogozhina e poshtë. Çka kemi bërë dhe çka mund të bëjmë së bashku për turizmin është diçka historike dhe e kemi të gjithën vetë në dorë dhe ta bëjmë me shumë sukses dhe me përfitim reciprok”, cilësoi Kryeministri Rama.
/r.e//a.f/