Rama: Parku eolik në Tropojë, hap i rëndësishëm për sovranitetin energjetik

TIRANË, 18 janar/ATSH/ Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot se projekti për ndërtimin e parkut të energjisë së rinovueshme me erë në Tropojë do të thellojë diversifikimin e portofolit energjetik të vendit.
Në nisje të podkastit “Flasim”, kryeministri Rama u ndal te zhvillimet kryesore të javës, ku veçoi projektin madhor të parkut me energji të rinovueshme me erë në Tropojë.
“Kjo javë ka qenë e rëndësishme edhe në aspektin e zhvillimit ekonomik, pasi kemi hedhur edhe një hap tjetër të rëndësishëm në drejtim të sovranitetit energjetik, duke fuqizuar kështu themelet e ekonomisë dhe duke iu afruar atij momenti kur Shqipëria nuk do të ketë më nevojë të paguajë nga taksat e shqiptarëve për të importuar energji nga jashtë”, u shpreh kryeministri Rama.
Rama vlerësoi hapin e hedhur për fazën e dytë të projektit madhor të parkut me energji të rinovueshme me erë në Tropojë, me një kapacitet prodhimi prej 600 megavat.
Sipas Kryeministrit ky është një hap dhe një fazë e re që shënon finalizimin e një përpjekjeje të përbashkët rreth dyvjeçare me kompaninë amerikane, lidere në energjinë e rinovueshme në Europë, CWP.
“Në këtë mënyrë, falë një procesi parapërgatitor që është faktikisht më i shkurtër se vetë procesi i ndërtimit, kam bindjen se në një kohë 12 muaj punë, pa llogaritur periudhat kur dimri është realisht në fazën që e bën të pamundur punën normale në terren, ne do të kemi parkun me energji të erës, që do të hyjë në rrjetin e prodhimit tonë kombëtar dhe do të bëjë që, në këtë mënyrë, Shqipëria të thellojë diversifikimin e portofolit të vet energjetik”, u shpreh Rama.
/m.m/r.e/