Rama: Pasqyra e Transparencës, aktive në ditët në vijim, gjithçka për projektin e Zvërnecit

TIRANË, 30 shtator/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se në Pasqyrën e Transparencës, e cila do të jetë aktive në ditët në vijim, do të publikohen të gjitha informacionet lidhur me projektin e investimit në Zvërnec.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, Rama informoi edhe mbi ecurinë e projektit të investimit në Zvërnec, duke theksuar se pritet studimi i thelluar mjedisor.
“E kam informuar Presidenten e Komisionit edhe për ecurinë e projektit të madh të investimit që ka shkaktuar aq shumë interes. Tani jemi në fazën që presim së shpejti studimin e thelluar mjedisor, por ndërkohë e informova lidhur me hapat që kemi hedhur në funksion të rritjes së konsiderueshme të transparencës me publikun shqiptar edhe të ndërveprimit të qeverisë me publikun përmes mjeteve të reja të teknologjisë”, shtoi Rama.
Kryeministri informoi se “në ditët e ardhshme do të “ndezim” Pasqyrën, me transparencën e plotë të të gjithë dokumenteve dhe të gjithë procesit për sa i takon gjithçkaje që është e shkruar e zeza mbi të bardhë pikërisht projektin e shumëdiskutuar”.
Rama bëri të ditur se në takim u diskutua edhe për bilancin e përpjekjes madhore që Shqipëria po bën në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Kryeministri siguroi se kjo është një pikë e palëvizshme e agjendës së qeverisë dhe e agjendës së Bashkimit Europian në tërësi, por për vendet kandidate në veçanti.
“Kemi konstatuar bashkërisht me kënaqësi faktin që tani është shumë e qartë për Shqipërinë se nëse deri dje korrupsioni ishte sistemi, sot sistemi po e lufton korrupsionin”, u shpreh Rama.
/a.f/r.e/