Rama: Qeveria, e gatshme të kalojë në plan të ri për fillimin e ndërtimit të portit të Porto Romanos

TIRANË, 15 mars /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se ndërtimi i portit të ri tregtar dhe ushtarak në Porto Romano është një projekt strategjik me rëndësi për zhvillimin ekonomik, logjistik dhe gjeopolitik të Shqipërisë, si dhe për forcimin e rolit të vendit në rajon.
Gjatë shënimeve të javës në podkastin “Flasim”, Rama u ndal te projekti i Porto Romanos, duke theksuar se debati publik rreth tij shpesh është shoqëruar me dezinformim.
“Kam një shënim të veçantë për sa i përket një çështje që ka marrë vëmendje mediatike dhe që, si të gjitha çështjet e tjera të kësaj bote, kur marrin vëmendje mediatike në kohën që jetojmë mbulohen nga një mjegull e madhe marrëzish, fantazish, budallallëqesh, ligësish dhe me një fjalë të vetme, dezinformimi. E kam fjalën për çështjen e portit të ri tregtar dhe ushtarak të Porto Romanos”, u shpreh Rama.
Sipas tij, riorganizimi i rrjetit portual të vendit është një detyrë strategjike që lidhet edhe me zhvillimin urban dhe ekonomik të qytetit të Durrësit.
“Tani, ne jemi, jo në të drejtën, por në detyrën tonë të riorganizojmë rrjetin portual të vendit, të ndryshojmë funksionin urban të zonës së Durrësit; të shpëtojmë qytetin e dytë më të madh të vendit dhe qytetin e parë turistik të Shqipërisë në vijën bregdetare nga gangrena mu në mes të organizmit të vet urban, që është porti i vjetër; të rrisim kapacitetet tona përpunuese logjistike dhe gjeopolitike, duke u përputhur me standardet e Bashkimit Europian dhe të NATO-s përmes ndërtimit të një nyje të re strategjike për, jo thjesht Shqipërinë, por për rajonin dhe për funksionimin e Korridorit 8”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se transferimi i portit tregtar në Porto Romano dhe transformimi i portit aktual të Durrësit për funksione të reja zhvillimi turistik përbën një zgjidhje të domosdoshme për zhvillimin e vendit.
“Ideja e transferimit të portit tregtar në Porto Romano dhe e transformimit të portit aktual të Durrësit për funksionin e ri të një motori të fuqishëm të industrisë së re të turizmit është absolutisht zgjidhja më logjike, e pamundur në kohëra të mëparshme për shkak të Shqipërisë që ishte dhe plotësisht e domosdoshme për Shqipërinë tjetër që ne po ndërtojmë dita-ditës”, u shpreh ai.
Rama nënvizoi se porti i ri në Porto Romano nuk është thjesht një projekt infrastrukturor, por një projekt strategjik rajonal dhe europian i lidhur me funksionimin e Korridorit 8 dhe me nyje të tjera logjistike në rajon.
“Porti i ri në Porto Romano nuk është thjesht një projekt infrastrukturor. E përsëris, është një projekt strategjik rajonal dhe europian i lidhur me funksionimin vital të Korridorit 8 dhe me nyje të tjera logjistike, ku përfshihen edhe portet e thata të Prishtinës dhe të Shkupit”, tha Rama.
Rama theksoi gjithashtu se projekti nuk ka hasur kundërshtime nga partnerët ndërkombëtarë.
“Siç e theksova në ditët e shkuara, në këtë proces nuk ka patur, sikundër hidhen përpjetë ciklat e avujve të tenxhereve mediatike, asnjë shqetësim të shprehur nga aleatët tanë, as nga Shtetet e Bashkuara, as nga Bashkimi Europian. Përkundrazi, projekti i hartuar nga kompania më e madhe në botë me reputacion të padiskutueshëm, Royal Haskoning, është në tryezën e NATO-s. Ka kaluar të gjithë filtrat teknikë dhe tani pret të hyjë bashkë me grupin e disa projekteve të tjera të mëdha në filtrin politik, pikërisht sepse është një projekt me një vlerë të konsiderueshme gjeopolitike”, tha Rama.
Kryeministri shtoi se një port i ri i këtyre përmasave do ta vendosë Shqipërinë në një pozicion të ri në hartën logjistike të rajonit dhe të Europës.
“Një port i ri i këtyre përmasave, me këtë ambicie, e çon Shqipërinë në një nivel tjetër në hartën logjistike të rajonit dhe e kthen në një vend që zotëron edhe një nyje strategjike të transportit në mes të Europës, si pikë lidhëse mes Lindjes dhe Perëndimit”, tha Rama.
Në përfundim, Rama theksoi se pavarësisht vështirësive që ka hasur projekti dhe tërheqjes së një kompanie që ishte pranë lidhjes së kontratës për shkak të rritjes së çmimeve, qeveria është e gatshme të kalojë në një plan të ri për të garantuar fillimin e ndërtimit të portit.
“Pavarësisht vështirësive që ka hasur projekti, pavarësisht të dy proceseve të papërfunduara në sekondën e fundit, pavarësisht tërheqjes së kompanisë që ishte shumë pranë lidhjes së kontratës dhe pritej vetëm të paraqiste ofertën financiare, por që u shpreh se në kushtet e krizës dhe të rritjes së çmimeve nuk e shikonte të mundur të jepte një ofertë financiare, ne jemi gati të kalojmë në një plan tjetër të shpejtë dhe agresiv për të garantuar fillimin e ndërtimit të portit për të cilin kemi vënë në dispozicion edhe të gjithë buxhetin e nevojshëm”, u shpreh Rama.
/gj.m/j.p/