E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Rezultate domethënëse nga sensibilizimi kundër informalitetit në ndërtim

TIRANË, 1 shkurt/ATSH/ Objektivat e administratës tatimore do të orientohen në formalizimin e tregut të punës, në deklarimin e pagave reale, por edhe në rritjen e deklarimeve dhe të qarkullimit të xhiros së bizneseve që operojnë në sektorin e ndërtimit.

Kryeministri Edi Rama në shënimet e javës gjatë podkastit “Flasim” mëngjesin e sotëm u ndal tek ky objektiv i Tatimeve i deklaruar nga ministri i Financave Petrit Malaj ndërsa paraqiti rezultatet e deritanishme.

Kryeministri solli këtë zhvillim të javës duke theksuar se ka një subjekt me rëndësi, subjektin e informalitetit në ndërtim.

“Dhe faktikisht jemi në një proces, ku shohim përmirësime të vazhdueshme, falë qasjes aktive të Ministrisë së Financave dhe të autoriteteve tatimore për të mos lejuar që informaliteti të godasë në mënyrën më të padrejtë familjet e atyre që punojnë në sektorin e ndërtimit”, vuri në duke kreu i qeverisë.

Rama theksoi se rezultatet janë të reflektuara në fondin e pagave, të kontributeve shoqërore dhe shëndetësore në sektorin e ndërtimit, me rritje domethënëse.

“Një rritje domethënëse që do të thotë një deklarim shumë më real të pagave pasi administrata tatimore dërgoi rreth 15 mijë mesazhe të personalizuara, të cilat dhanë si efekt që për rreth 18 mijë të punësuar, fondi i pagave u rrit me 9%, ndërsa kontributet me 4%.”, vuri në dukje ai.

Po ashtu, sipas Kryeministrit, ulja e numrit të pagave në fashën e 500 eurove është domethënëse, ashtu siç është rritur ndjeshëm numri i pagave mbi 700 dhe mbi 1 mijë euro, një rritje deri në 18 %, si dhe paga mbi 1200 euro me një rritje mbi 10%.

“Këto janë tregues të qartë, jo vetëm të faktit që pagat janë rritur ndjeshëm, por mbi të gjitha të faktit se edhe ekonomia informale po ulet ndjeshëm”, përfundoi Rama.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›